TIRANE- Zgjedhja e Presidentit të ri ka krijuar jo pak debate, jo vetëm mes forcave politike në vend, por edhe më gjerë. Dy raundet e para për këtë proces janë djegur, për faktin se ende nuk ka një emër. Pas dy seancave që kanë zgjatur nga pak minuta, njëra e zhvilluar pasdites e së mërkurës, edhe një të enjten, Konferenca e Kryetarëve ka vendosur që raundi i tretë të zhvillohet të enjten e ardhshme.

Fill pas kësaj, në një konferencë për mediat, Meta tha se deri më 27 prill, do t’i lihet kohë opozitës për t’iu bashkuar procesit, duke theksuar rëndësinë e zgjedhjes së një presidenti konsensual.

Por sipas disa zërave, këto raunde po digjen qëllimisht nga mazhoranca, e cila deklaron se i ka votat e nevojshme, por nga ana tjetër nuk sjell kandidatura për këtë post.

Në emisionin “Të paekspozuarit” në “News24”, zëvendëskryeministri Niko Peleshi tha se mazhoranca i ka kushtet për ta zgjedhur presidentin në komoditet, nisur edhe nga numri i votave që ka, por ai shtoi se përfshirja e opozitës në këtë proces është e rëndësishme.

“Nuk më duket se problemi më i madh i Shqipërisë sot është qëndrimi i partive politike për të bërë kërkesa për veprime sa i lejon ligji. Sa i takon zgjedhjes së presidentit, dua të them se nuk është ndonjë mëkat se u dogjën dy raunde, ndërkohë që opozita nuk është në Kuvend. Ne nuk do të donim që të bënim zgjedhjen e presidentit në komoditet, thjesht duke e votuar se numrat i kemi. Po kështu nuk duam që të hyjmë në zgjedhje pa opozitën”, tha Peleshi.

Të njëjtin qëndrim ka shprehur edhe nënkryetari i LSI-së, Luan Rama, i cili theksoi se afati 7 ditë për t’i dhënë mundësinë opozitës t’i bashkohet këtij procesi, është një akt përgjegjshmërie.

“Fakti që ne duam edhe opozitë të marrë pjesë në zgjedhjen e presidentit, është një akt përgjegjshmërie”, tha Luan Rama.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb