TIRANË- Ka nisur sot procesi i trajnimit të policisë në përgatitje të zgjedhjeve të 18 qershorit për pushtetin qendror. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako, ambasadori i OSBE Berndt Borschardt dhe kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë takuar sot me drejtues të policisë duke dhënë edhe udhëzimet mbi detyrat dhe rolin e policisë në duhen më pak se 3 muaj nga zgjedhjet.

Ambasadori Borschardt ka kërkuar nga policia të ruajë standardet dhe të jetë e paanshme, duke theksuar se bashkëpunimi me OSBE do të vijojë.

“Na ndajnë më pak se 3 muaj nga zgjedhjet që konsiderohen një gur themeli për demokracinë. Kemi bërë shumë progres në proceset zgjedhore. Policia të ruajë standardet në zgjedhje. Zgjedhjet e ardhshme shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Ju duhet të vazhdoni edhe punën tuaj të përditshme kundër kërcënimeve transnacionale e kundër drogës. Kam besim se Policia e Shtetit do jetë e paanshme dhe ne do vazhdojmë të bashkëpunojmë”, deklaroi Borschardt.

Kreu i KQZ Denar Biba foli për disa mangësi, si mungesa e konstituimit të KZAZ-ve për shkak se 2 partitë e mëdha nuk kanë sjellë kandidatët. Ai tha se ka politizim të situatës parazgjedhore por shprehu gatishmëri që KQZ të bashkëpunojë me policinë.

“Ne sot duhet të kishim konstituuar KZAZ, nuk i kemi për mundësi objektive. Dy partitë kryesore që duhet të kishin ofruar kandidatët nuk i kanë ofruar. Ne do të jemi në krahun tuaj, duke ofruar ekspertizën e KQZ për t’ju trajnuar. Dua të them edhe një shprehje: Kur policia nuk është në zgjedhje është mirë. Sa më pak që të dukeni, aq më mirë do të thotë se ka shkuar situata”, tha Biba.

Edhe kreu i Policisë së Shtetit Haki Çako siguroi qytetarët se policia s’ka qenë e s’do jetë kurrë e politizuar.
“Policia e Shtetit ka një mision me rëndësi në këto zgjedhje. Procesi është i rëndësishëm për rrugën europiane të Shqipërisë. Siguroj qytetarët që policia s’ka qenë e s’do jetë kurrë e politizuar”, theksoi Çako.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb