TIRANË- Partia Republikane ka konfirmuar kandidaturën e Agron Dukës për kryetarë Bashkisë së Durrësit. Këtë fakt e ka pohuar për News24 vetë kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu. Sipas tij Agron Duka është një emër që përfaqëson qytetarët e Durrësit.

“Agron Duka është një kandidaturë që përfaqëson qytetarët e Durrësit. Kërkojmë që të jetë kandidaturë e përbashkët”, ka thënë Mediu ndërsa ka shtuar se “Duka gëzon mbështetje të mirë në këtë qytet dhe po ashtu edhe mbështetjen e partive të djathta”.

Agron Duka është aktualisht deputet i PR-së në Parlamentin e Shqipërisë. Emri i tij është i pari që bëhet publik si kandidat për zgjedhjet vendore në vend, të cilat do të mbahen më 21 qershor.

Mediu në FB: Agron Duka përfaqëson vlerat më të mira qytetare

Gjithashtu mbrëmjen e djeshme, kreu i PR Fatmir Mediu ka zgjedhur të komentojë në ‘Facebook’ për kandidaturën e Agron Dukës për kreun e Bashkisë së Durrësit. Kështu, Mediu ka shkruar se Agron Duka përfaqëson vlerat më të mira qytetare, dhe se me zgjedhjen e tij, Durrësi do të orientohet drejt zhvillimit dhe vlerave Evropiane.

‘Sot në cilësinë e Kryetarit të Partisë Republikane deklarova se kandidatura e z. Agron Duka për Bashkinë e Durrësit është një kandidaturë që përfaqëson vlerat më të mira qytetare të Durrësit dhe padyshim zgjedhja e tij si kryetar bashkie, do ta orientonte Durrësin drejt zhvillimit dhe vlerave Evropiane ashtu siç i takon vlerave të historisë, kulturës dhe turizmit, si dhe një raporti të drejte me çdo qytetar të djathte, të majtë me dhe pa Parti. Ky propozim i PR në çdo rast do të diskutohet me përfaqësuesit e Partisë Demokratike. Zoti Duka dhe Partia Republikane kanë një qëllim dhe qëndrim të përbashkët me PD, jo thjeshtë një fitore politike, por mbi të gjitha qytetare’-shkruan Mediu në rrjetin social Facebook.

(m.k/os.de/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb