FIER- Pezullohet nga detyra mësuesja në fshatin Zharrëz të Fierit që keqtrajtonte nxënësit dhe përdorte ndaj tyre fjalor fyer e denigrues.

Një ditë pas publikimit të video-skandalit, ku mësuesja i drejtohej nxënësve me fjalët ‘zhuls’, ‘qafëpalarë’, Drejtoria Arsimore Fier ka pezulluar mësuesen Juliana Dine dhe ka nisur procedurat për largimin e saj nga puna.

Po kështu, gjithë puna e këtij institucioni është vënë nën monitorim. Ndërkohë për t’u kujdesur për gjendjen e nxënësve në shkollën në fjalë janë dërguar edhe psikologë.

DEKLARATA E DAR FIER
Drejtoria Arsimore Rajonale Fier nëpërmjet emisionit investigativ “Fiks fare” u informua mbi sjelljen gjatë një ore mësimi të mësueses së klasës së dytë të shkollës “Sotir Çapo” Zharrëz, Bashkia Patos, Juliana Dine.
Ne shprehim indinjatën tonë institucionale për gjuhën e përdorur nga mësuesja në komunikim me nxënësit dhe me prindërit e tyre. Ky qëndrim i mësueses, pavarësisht se ne mendojmë që është një rast i izoluar, është i papranueshëm dhe në kundërshtim të plotë me punën e madhe që bëhet çdo ditë nga mësuesit dhe
drejtuesit e përgjegjshëm në institucionet tona arsimore dhe nga të gjitha institucionet përgjegjëse për arsimin.

Drejtoria e shkollës “Sotir Çapo” Zharrëz, referuar akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, ka marrë sot masën disiplinore “pezullim nga detyra” dhe fillimin e procedurave disiplinore për largimin nga puna për mësuesen Juliana Dine.

Gjithashtu DAR Fier ka urdhëruar monitorim të plotë të punës menaxhuese dhe mësimore në këtë institucion arsimor. Po kështu kemi dërguar një grup të shërbimit psiko-social për të trajtuar dhe ndjekur nga afër gjendjen psiko-sociale të çdo nxënësi të kësaj klase, si edhe për të komunikuar me çdo prind të klasës për të evidentuar nëse ka pasur raste të mëparshme dhe të përsëritura dhune fizike ose
psikologjike tek nxënësit.

DAR Fier falënderon emisionin investigativ “Fiks fare” për denoncimin e këtij rasti dhe të çdo fenomeni tjetër dhune psikologjike apo fizike ndaj nxënësve, duke dhënë një kontribut të çmuar për të krijuar tek stafet pedagogjike një frymë dhe mendësi pune, kulture dhe respekti për çdo nxënës dhe prind.

Ju bëjmë thirrje të përsëritur drejtorëve të shkollave, shërbimit psiko-social, mësuesve të institucioneve arsimore të qarkut Fier, të tregojnë profesionalizëm, shërbim arsimor korrekt ndaj nxënësve dhe qëndrim qytetar ndaj prindërve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb