BUENOS AIRES- Zhurma të pazakonta janë regjistruar një javë më parë, tri orë pas komunikimit të fundit me nëndetësen argjentinase “San Juan”, shumë pranë pozicionit të fundit të ditur, njoftoi sot zëdhënësi i Marinës argjentinase duke mos dashur të pohonte mundësinë e një shpërthimi.

“Ne u informuam rreth një fakti zyrtar, të mërkurën e 15 nëntorit, në orën 11:00 (14:00 GMT) në zonën e operacionit të nëndetëses, të një anomalie hidro-akustike. Ishte një zhurmë që duhet analizuar”, u shpreh gjatë një konference shtypi kapiteni Enrique Balbi për tragjedinë që prek 44 marinarë dhe familjet e tyre, tashmë duke u ndjekur ore pas ore nga media argjentinase, shkruan ATA.

Ai saktësoi se zhurma u regjistrua rreth 400 kilometra nga brigjet e Patagonisë, rreth 60 kilometra në veri nga pozicioni i fundit i komunikuar nga nëndetësja, që ishte drejtuar në bazën detare në Mar del Plata, porti ankorues i nëndetëses.

Marina argjentinase i kërkoi SHBA-së dhe agjencive të ndryshme për të dhëna akustike që korrespondojnë me ato të së mërkurës së 15 nëntorit, data e fundit e komunikimit me nëndetësen, rreth orës lokale 07:30 (10:30 GMT).

“Ka qenë një zhurmë shumë e fortë. Mund të bëhet fjalë për një shpërthim”, pohoi për median një ish-komandant i nëndetëses, që kërkoi të mbetej anonim.

I pyetur në lidhje me këtë mundësi, zëdhënësi i marinës u përgjigj se zhurma ishte duke u analizuar.
Tre anije janë nisur drejt pozicionit të njoftuar për lokalizimin e nëndetëses dhe pritet të mbërrijnë në zonë sot në mbrëmje, rreth orës lokale 23:00 (të enjten 02:00 GMT).

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb