Nga FATMIRA NIKOLLI*

Prej datës 30 dhjetor 2014, kur “GSH” botoi artikullin e parë për çështjen e Komanit (duke e bërë publike çështjen) e deri më sot, kanë kaluar plot 3 muaj. Debate, intervista, deklarata, nga gjithë aktorët e faktorët që janë marrë më Komanin, kanë vënë theksin te vlerat e sajtit arkeologjik në tërësinë e vet dhe rëndësinë e pamatë të ruajtjes së tij, duke lënë larg zonës arkeologjike B shtyllat e tensionit të lartë të linjës Shqipëri-Kosovë, pasi e kundërta do e dëmtonte vendbanimin mesjetar.
Për fat të keq, paçka deklaratave entuziaste të palëve në fillimshkurt (kur Ministria e Kulturës kuptoi që shtyllat duheshin spostuar dhe OST tha se do përpiqej), jemi ende në pikën zero. Dy shkresa të këtij muaji që mbajnë datat 9 dhe 13 mars, hedhin dritë mbi mungesën e dëshirës/ vullnetit/ dhe dashurisë për monumentet, trashëgiminë, gjithë ç’na përfaqëson ne, ashtu si të ishte e “armikut”.

Për fat të keq, teksa rrekemi të ndërgjegjësojmë ata që nuk e njohin trashëgiminë, kuptojmë trishtueshëm se as ata që e njohin nuk tregojnë dhëmbët për ta ruajtur atë. Sa fat i keq përreth nesh!
Ne botojmë sot shkresat mes ministrive (Kulturës dhe Energjisë) e institucioneve (OST-ASHA). Më së pari, ato i janë kërkuar nga “GSH” zyrës së Shtypit të Ministrisë së Kulturës. Për këtë kërkesë nuk kemi marrë përgjigje fare. Kjo zyrë shtypi nuk denjoi as të përgjigjet (çfarë sjelljeje me mediat!). Megjithatë, ne i kemi siguruar këto letra dhe po i botojmë të plota. Janë fshirë prej tyre vetëm kokat e letrave, gjë që do të nxirrte në pah, se nga kanë dalë ato, pra burimin e “GSH”.

Letrat e shkurtit

Në vijim të takimit në Koman më 3 shkurt ku morën pjesë arkeologë të Misionit Francez, punonjës të Institutit të Arkeologjisë (IA), punonjës të Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik (ASHA), përfaqësues të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), përmes një letre të datës 4 shkurt, Instituti i Arkeologjisë pranë Ministrisë së Kulturës i kërkon OST-së të sjellë propozimin e vet për zhvendosjen e linjës në mënyrë që ky spostim të kalojë sërish në KKA (Këshillin Kombëtar të Arkeologjisë) për miratim. Më 11 shkurt, OST-ja përgjigjet. Drejtori Engjëll Zeqo, e nis letrën për dijeni te ministri i tij Damian Gjiknuri dhe te ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Veçse brendia nuk kënaq, ajo tremb. Ai i shkruan drejtores së ASHA-s, Rudina Zoto se, “ndonëse në takimin e Komanit, specialistët e OST-së paraqitën në hartë një trase të re të segmentit të linjës 400 KV në zonën B…”, për realizmin e saj janë hasur vështirësi. Atëkohë, ai paralajmëronte se nëse ‘devijimi nuk do të jetë i mundur teknikisht, OST do të vazhdojë projektin në trasenë e përcaktuar (më herët), për të cilën ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore…”. Një muaj më vonë, lajmet janë ende më të trishta.

Shkresat e marsit

Këto janë shkresat për të cilat Ministria e Kulturës nuk dha përgjigje.
Në datën 9 mars, OST dërgon një tjetër letër, kësaj radhe ministres Kumbaro, ku i parashtron Ministrisë së Kulturës të gjitha vështirësitë që i kanë dalë përpara sa i takon spostimit të linjës, që nga vështirësitë në terren e deri te kostot financiare. Mbasi e pyet nëse është ndryshuar qëndrim, i thotë se nëse kjo nuk ka ndodhur, atëherë, “të ndërmerrni të gjithë hapat ligjorë të nevojshëm, me qëllimin kryesor, sistemimin e situatës përmes akteve zyrtare, për gjetjen e një zgjidhjeje sa më optimale, si nga pikëpamja ligjore, ashtu dhe nga ajo ekonomike. Pasi ritheksojmë se çdo kosto e shtuar, do të përballohet nga OST sh.a. dhe si rrjedhojë duhet të justifikohet ligjërisht”.

Botojmë më poshtë letrën e plotë, që secili të gjykojë mbi ato që janë shkruar.

Subjekti: Mbi vijimin e punimeve për Ndërtimin e Linjës së Interkonjeksionit 400 kV Shqipëri-Kosovë, në zonën e Komanit

E nderuar Zj. Kumbaro,
Referuar projektit Ndërtimi i Linjës së Interkonjeksionit 400 kV Shqipëri – Kosovë dhe rëndësisë që ka ky projekt për sektorin energjetik, si dhe në vijim të:

I) Korrespondencave të mëparshme midis OST sh.a. dhe Ministrisë së Kulturës;
II) Vendimit të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë Nr. 366, Datë 12.12.2014, lidhur me shpalljen e zonave arkeologjike A dhe B në Koman të kërkuar nga Instituti i Arkeologjisë (Misioni Arkeologjik Shqiptaro Francez i Komanit);
III) Vendimit 367, Datë 12.12.2014 të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë që lidhet me projektin Ndërtimi i Linjës së Transmetimit 400 kV Shqipëri—Kosovë;
IV) Letrës së Misionit Arkeologjik Shqiptaro-Francez, drejtuar Kryeministrit dhe Ambasadës Franceze në Tiranë, ku kërkohet ndryshimi i trasesë së Linjës së Transmetimit 400 kV Shqipëri—Kosovë, pikërisht për shtyllat që pozicionohen brenda zonës arkeologjike B, me qëllim ruajtjen e vendbanimit mesjetar të Komanit; sjellim në vëmendjen tuaj si më poshtë:

Në datën 03.02.2015, u organizua nga OST sh.a. dhe palët e interesuara, një inspektim i zonës B të Komanit, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për këtë çështje. Pavarësisht argumenteve dhe alternativave të propozuara, Misioni Arkeologjik Shqiptaro-Francez ripërsëriti kërkesën për ndryshimin e trasesë së Linjës se Interkonjeksionit nga ana e OST sh.a.

Për sa më sipër, ju informojmë se:
OST sh.a. si Agjenci e Zbatimit të Projektit, të financuar nga KfW, ka lidhur një kontratë të realizimit të punimeve e cila parashikon ndërtimin e Linjës 400 kV Shqipëri—Kosovë.
OST ka involvuar konsulentin dhe kontraktorin për shqyrtimin e mundësive të ndryshimit të projektit, por vërejmë se ndryshimi i projektit është jashtëzakonisht i vështirë për shkak të pengesave teknike serioze në pjesën e terthorimit të bjefit të poshtëm të HEC Koman, si për shkak të terrenit, ashtu dhe për shkak të problemeve që krijohen në momentet e hapjes së portave të shkarkimit. Ndryshimi i projektit duhet të mbështetet në dokumentacionin përkatës ligjor dhe të marrë ndër të tjera edhe miratimin e KfW-së, në përputhje me parashikimet e marrëveshjes së huasë. Përveç kësaj, ndryshimi i projektit sjell kosto të shtuara me vlerë të konsiderueshme, në ngarkim të drejtpërdrejtë të shoqërisë sonë, të përbëra nga:
1 – Kostot e mëdha që vijnë nga ndryshimi i trasesë, të cilat nuk mund të justifikohen;
2 – Kostot lidhur me vonesat e shkaktuara kontraktorit, që do të vijnë nga ndërprerja e punimeve dhe ndryshimi i trasesë;
3 – Kostot financiare lidhur me moszbatimin në kohë të projektit sipas marrëveshjes financiare midis Republikës së Shqipërisë dhe KfW.
Për gjithë sa parashtruam, kërkojmë nga ana juaj nëse keni ndërruar qëndrim në lidhje me këtë çështje dhe nëse jo, të ndërmerrni të gjithë hapat ligjorë të nevojshëm, me qëllimin kryesor, sistemimin e situatës përmes akteve zyrtare, për gjetjen e një zgjidhjeje sa më optimale, si nga pikëpamja ligjore, ashtu dhe nga ajo ekonomike. Pasi ritheksojmë se, çdo kosto e shtuar, do të përballohet nga OST sh.a. dhe si rrjedhojë duhet të justifikohet ligjërisht.
Do të vlerësonim kthimin e një përgjigjeje nga ana juaj brenda 10 ditësh. Meqenëse OST sh.a. ballafaqohet me efekte kohore dhe ekonomike, pas kalimit të këtij afati, OST do të vazhdojë procesin e ligjshëm të nisur tashmë për realizimin e Linjës 400 kV Shqipëri—Kosovë, sipas projektit të miratuar.
Me respekt,
Administratori
Engjëll Zeqo(Firma dhe Vula)

Dhe përgjigjja vjen…

Ajo mban datën 13 mars, pra 5 ditë më vonë. Në të, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro i drejtohet ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri dhe mbasi i bën një përmbledhje të letrës që ka marrë nga OST, në fund i kujton Ministrisë së Energjisë se Ministria e Kulturës është institucioni përgjegjës për trashëgiminë kulturore dhe se sa u takon pasojave që rrjedhin nga ndryshimi i një segmenti të linjës së tensionit të lartë, të propozuar nga grupi i ekspertëve të OST-së në takimin ndërinstitucional të zhvilluar në Koman, se Ministria e Kulturës nuk është organi kompetent për zgjidhjen e tyre.

Në fakt, Kumbaro ka të drejtë! Ministria e Kulturës mbron trashëgiminë dhe jo interesat e OST-së, veçse për shkak se mbron trashëgiminë, duhej të kishte shtuar se mosspostimi i linjës në një segment tjetër të zonës B, e dëmton vendbanimin mesjetar të Komanit. Mbase duhej të kishte këmbëngulur për këtë spostim, dhe të kishte theksuar se ka rëndësi të jashtëzakonshme, ashtu siç Zeqo kishte këmbëngulur për pengesat e jashtëzakonshme që i kanë dalë.

Më poshtë letra e plotë, që secili të gjykojë lirshëm:

Lënda: Mbi vijimin e punimeve për “Ndërtimin e linjës së transmetimit 400 kv Shqipëri-Kosovë” në zonën e Komanit.

I nderuar Z. Gjiknuri,
Para së gjithash do të desha t’Ju konfirmoj se Ministria e Kulturës që unë drejtoj, si Institucioni përgjegjës për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, vijon të jetë shumë e vëmendshme dhe në përkujdesje të mbrojtjes dhe ruajtjes së vlerave arkeologjike, kulturore dhe historike të vendbanimit mesjetar të Komanit. Në funksion të sa më sipër, Ministria e Kulturës dhe strukturat në varësi të saj (ASHA) ndërmorën një proces të gjerë ballafaqimi teknik ndërinstitucional, i cili kulmoi me takimin e datës 03.02.2015 të zhvilluar në Koman, ku një nga palët pjesëmarrëse ka qenë edhe OST me grupin e saj të ekspertëve. Sikundër është bërë publike, në përgjigje të shqetësimit në lidhje me ruajtjen e vendbanimit mesjetar të Komanit, nga ana e ekspertëve të OST-së është bërë një propozim, i cili kishte të bënte me zhvendosjen pjesërisht të një segmenti të linjës përtej zonës arkeologjike B të propozuar, i cili është pranuar nga Instituti i Arkeologjisë (Misioni arkeologjik Shqiptaro-Francez) dhe të gjitha palët pjesëmarrëse në të.

Për të vijuar në zbatimin e detyrave të lëna nga Vendimi nr.367, i datës 12.12.2014, të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, me shkresën me nr. 83 prot., dt.04.02.2015, ASHA i është drejtuar OST-së, ku i kërkon të depozitojë propozimin e saj teknik lidhur me zhvendosjen e një segmenti të linjës së transmetimit 400 kv Shqipëri-Kosovë, për të mundësuar vijimin e procedurave administrative të shqyrtimit deri në vendimmarrjen në KKA, për vijueshmërinë e zbatimit të projektit me rëndësi strategjike kombëtare.

Në vijim të korrespondencës për këtë çështje, me anë të shkresës me nr.1492 prot., të datës 9.03.2015, të ardhur në adresë të Ministrisë së Kulturës nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, nga ana e administratorit të saj Z. Engjëll Zeqo, bëhet e ditur se:

“…ndryshimi i projektit është jashtëzakonisht i vështirë për shkak të pengesave teknike serioze në pjesën e tërthorimit të bjefit të poshtëm të HEC Koman, si për shkak të terrenit, ashtu edhe për shkak të problemeve që krijohen në momentet e hapjes së portave të shkarkimit. Ndryshimi i projektit duhet… të marrë ndër të tjera edhe miratimin e KfW-së në përputhje me parashikimet e marrjes së huasë.”
Gjithashtu në këtë shkresë nga ana e OST sh.a. informohemi se:

“…ndryshimi i projektit sjell kosto të shtuara në vlerë të konsiderueshme, në ngarkim të drejtpërdrejtë të shoqërisë sonë të përbërë nga:
1. Kostot e mëdha që vijnë nga ndryshimi i trasesë, të cilat nuk mund të justifikohen;
2. Kostot lidhur me vonesat e shkaktuara kontraktorit që do të vijnë nga ndërprerja e punimeve dhe ndryshimi i trasesë;
3. Kostot financiare lidhur me moszbatimin në kohë të projektit sipas marrëveshjeve financiare midis Republikës së Shqipërisë dhe KfW.
Dëshiroj të sjell në vëmendjen Tuaj se Ministria e Kulturës është institucioni përgjegjës për trashëgiminë kulturore dhe, si e tillë, kryen funksionet e saj në mbështetje të ligjit Nr. 9048, datë 7.04.2003, “Për Trashëgiminë Kulturore” (i azhornuar).

Për sa u takon shqetësimeve, argumentimeve dhe pasojave teknike që rrjedhin nga ndryshimi i projektit të segmentit të trasesë së Linjës së transmetimit 400 kv Shqipëri-Kosovë, si dhe pasojave ligjore dhe financiare që rrjedhin prej këtij ndryshimi të propozuar nga grupi i ekspertëve të OST-së në takimin ndërinstitucional të zhvilluar në Koman, Ju informoj se Ministria e Kulturës nuk është organi kompetent për zgjidhjen e tyre.

Sa më sipër, Ministria e Kulturës dhe strukturat e specializuara në varësi të saj, shprehin disponibilitetin e tyre për trajtimin me përparësi të vendimit që do të ndërmerret nga ana juaj dhe strukturave tuaja të specializuara, në lidhje me gjurmën e trasesë për shtyllat që pozicionohen brenda zonës B të propozuar të Komanit.
Mirela Kumbaro Furxhi

Botuar sot në Gazetën Shqiptare
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: