TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha nuk i ka munguar as sot seancës parlamentare. Edhe pse jo si herët e tjera, nuk ka munguar një fjalim i gjatë i tij.

Ndër të tjera, Berisha ka folur edhe për situatën nga krimi në vend. Por një frazë e përdorur në foltoren e Kuvendit nuk i ka shpëtuar ndjekësve të tij. Një komentuese e ka pyetur nëse kryetari i opozitës Lulzim Basha është kërcënuar me jetë për të bërë marrëveshjen me kryeministrin Edi Rama.

Një tezë kjo, e padëgjuar deri tani. Megjithëse nuk ka replikë nga ish-kryeministri Berisha, deklarata e tij është aty.

Komentuesja: Z. Berisha, fjala jua në vesh të Zotit, se sot të gjithë jemi shurdhuar. Kisha vetëm një pyetje:
– Juve shpreheni se kryetari i opozitës është kërcënuar me jetë, i referoheni z. Basha?
Me një fjalë, marrëveshja e 25 qershorit, nuk është tjetër veçse një kërcënim që i është bërë z. Basha, kur të dy me kryeministrin Rama ishin a tu per tu?
Citoj: “Zotërisë i duhet krimi, për t’ia çuar kryetarit të opozitës për ti thënë se po nxorre kokën në dritare, e kam drejt teje shënjestrën”.
Një gjë e tillë do ishte shumë e rëndë, për një kryetar partie, që ka rënë pre e krimit e sot manipulohet, si marionetë nga kryeministri i Shqipërisë!
Me fjalë të thjeshta, sot shqiptarët, gjenden aktualisht me një qeveri dhe parlament totalitar dhe se opozita është aty, sa për sy e faqe? Sa për numër, sepse aktualisht PD-ja nuk ekziston më?

komentuesja Berisha

***
Kujtojmë se në muajin prill, ndaj kreut të PD-së Lulzim Basha pati shtim të forcave të sigurisë pasi u tha se ishte kërcënuar. Megjithëse jo zyrtarisht, nga selia blu dhe nga Ministria e Brendshme në atë kohë patën deklaruar se lideri i opozitës ishte kërcënuar.

Kjo bëri që masat e sigurisë për liderin e opozitës të shtoheshin dhe lëvizjet e tij në publik ishin të kontrolluara, ndërkohë që çadra ishte në bulevardin kryesor të Tiranës.

Për këtë çështje pati edhe një prononcim të Presidentit të Republikës në atë kohë Bujar Nishani.
Ndërsa Kryeministri Edi Rama pati deklaruar se burimi i informacionit nuk ishte mjaftueshmërisht i besueshëm.

“Nuk ka asnjë skenar për të ekzekutuar kryetarin e opozitës, ka pasur një informacion që është trajtuar me seriozitetin më të madh dhe pavarësisht se ekspertiza tregon se informacioni  nuk është  mjaftueshmërisht i besueshem dhe burimi është kontradiktor janë marrë masat sikur ajo  të ishte realisht e vërtetë. Patjetër që siguria e të gjithë njerëzve dhe padiskutim e kryetarit të PD është prioritet numër 1 nëse kërcenohet. Por përtej çfarë pompohet në katundin mediatik, kreu i PD është më i mbrojtuar se asnjëherë dhe do të jetë i mbrojtur deri në fund, me gjithcka që shteti ka për detyrë.”, do shprehej Rama më 13 prill.

Edhe Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj tha atëherë se kreu i PD-së, Lulzim Basha kishte marrë disa mesazhe kërcënuese, gjë që e kishte detyruar të rriste sigurinë.

“Kërcënimet ndaj Z. Basha kanë qenë reale. Ne i kemi trajtuar këtë sinjalizime shumë seriozisht. Menjëherë ne kemi vënë në dijeni stafin e afërt që merret me sigurinë e Z.Basha”, u shpreh Xhafaj atëherë.

PJESË NGA FJALIMI I BERISHËS SOT NË PARLAMENT
…Pra, shumica jote është shumicë droge, ndaj dhe kushtetuta morale e kombit, e qytetarit dhe e njeriut nuk e pranon atë. Fitorja jote është dasmë pa nuse. Po pse? Sepse është e bazuar mbi krimin, mbi krimin e doktrinës së pari. Se krimi i dobishëm, është i mirë. Se krimi që më ndihmon në pushtet, është i mirë. Një mijë herë mund të pyesni veten se çfarë i duhet një kryeministri krimineli? Krimineli, një kryeministri që zbaton ligjin, është kundërshtari më i egër i tij. Ndërsa i një kryeministri që do të shtrijë pushtetin e tij jashtë ligjeve, instrumenti më i fuqishëm është krimineli. Në diktaturë ka pasur disa ligje, të këqija, por ata që thyenin ligjet, ata ishin xhelatët më të respektuar dhe më të vlerësuar. Pse? Sepse ata merrnin përsipër të thyenin ligje, ata merrnin përsipër për të vrarë. Zotërisë i duhet krimi, për t’ia çuar kryetarit të opozitës për ti thënë se po e nxore kokën në dritare, e kam drejt teje shënjestrën. I duhet krimi për ti thënë X kompanie se këtu është Vilma Nushi që do fitojë tenderin, guxo po deshe. I duhet krimi për ti mbyllur gojën kundërshtarëve, i duhet krimi si hanxhar kundra mediave.

Pra, kjo është shumicë që bazohet mbi krimin. Në këto kushte, a mund të jetë kjo shumicë e kushtetutës morale të një njeriu, të një kombi?! Jo, kurrën e kurrës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb