Nga Roland Qafoku

Si sot 75 vjet më parë, mbylli sytë në Washington, Faik Konica. Mes mitit dhe njeriut me vese. Mes eruditit dhe njeriut gërnjar. Mes aristokracisë dhe lëkundjeve të karakterit, Faik Konica vazhdon të mbetet një personazh tejet i dashur për tu marrë me të. Aty ku qëndronte lart, habitesh se si binte aq poshtë. Aty ku i shërbente aq shumë Shqipërisë aty a shante atë si askush.

Aty ku kërkonte vlerë dhe cilësi në punë po aty porosiste nga Washingtoni në Londër arka të tëra me whiskey scotch se ai amerikan nuk ishte dhe aq i mirë për të. E megjithatë Faik bej Konica mbetet shqiptari më unikal dhe i papërsëritshëm. Jetoi vetëm me sezone në Shqipëri, por e deshi dhe bëri aq shumë për të. Penën e ngjeu shumë herë më acid për Ismail Qemalin, Ahmet Zogun dhe Fan Nolin, por njëkohësisht i deshi ata më shumë se askush tjetër.

Vetëm ai dinte të urrente dhe donte njëkohësisht. Atë 15 dhjetor 1941 në apartamentin e tij, në katin e dytë, në kryeqytetin e SHBA, vdiq një shqiptar i madh. Ndoshta nga më të mëdhenjtë që ka parë Shqipëria. E donte Shqipërinë në mënyrën e vet duke ia lartësuar emrin me emrin e tij dhe duke ia vënë në dukje gabimet vetëm siç dinte ai t’ia vinte në dukje.

Që nga viti 1995 eshtrat e tij ndodhen në Tiranë, te një parcelë e thjeshtë në një varr të thjeshtë te Kodrat e Liqenit Artificial. Nuk dimë që shteti të ketë organizuar ndonjë ceremoni nderimi sepse pushtetarët tanë dhe sidomos ministria e Kulturës duhet të jenë të zënë me punë të mëdha.

Madje as kryeministri Rama që i referohet shpesh dhe thotë se është nxënësi i tij nuk dimë që të ketë axhendë ta nderojë. Nëse na e pranon, po e këshillojmë zotin Rama të gjejë pak minuta kohë dhe të vendosë një tufë me lule në atë varr që dëmtohet dhjetë herë në vit nga vandalë dhe nga ata që Faiku u quante “urrejnë të bukurën”.

Nuk ka punë më të madhe sot të nderosh këtë shqiptar që ia dha këtij vendi më shumë se kushdo për ta shndërruar në një model se si e nderon këtë Shqipëri. Përulje dhe respekt të madh për Faik Konicën e madh. Dhe një lutje: Zoti Rama, vendosni një tufë me lule sot te varri i “mësuesit” tuaj!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb