TIRANE- Zv.Kryeministrja Ledina Mandija deklaroi këtë të hënë se në krahasim me zgjedhjet e shkuara, administrata është përfshirë në nivel më të ulët në zgjedhjet e 25 qershorit.

“Denoncimet për përdorimin e administratës në fushatë elektorale e di që janë të pakta në lidhje me rastet që kanë ndodhur, por mund të them që në krahasim me vitet e tjera elektorale, ka patur një rënie në këtë drejtim”, deklaroi ajo në Top Story.

Mandija tha se ministrat teknikë dhe vetë ajo në pozicionin e zv.Kryeministres kanë ushtruar dhe ushtrojnë funksione të plotë kushtetuese.

Ajo e quajti “bashkëqeverisje të plotë me ministrat politikë të kabinetit “Rama”, megjithëse shtoi se fokusi i ministrave teknikë dhe i vetë asaj në krye të Task Forcës ishin zgjedhjet.

Mandija foli për mungesë transparence, që ka sjellë, sipas saj, debate të panevojshme në nivel politike dhe administrativ.

“Disa situata mund të menaxhoheshin më mirë në Ministrinë e Financave dhe Arsimit”, tha ajo.

Zv.Kryeministrja deklaroi se në raportin e Ministrisë së Brendshme flitet për 30 punonjës të Policisë së Shtetit të përfshirë në fushatë në mbështetje të një subjekti elektoral dhe për shtatë të tjerë të lidhur me elementë kriminalë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: