BEOGRAD- Zëvendëskryeministrja e Serbisë, Zorana Mihajloviç, i ka bërë thirrje Kishës ortodokse serbe, që të jetë partnere në dialogun e brendshëm për Kosovën dhe mos t’i bëjë presion presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Siç raporton agjencia serbe “Tanjug”, zëvendëskryeministrja serbe, shpreson se faza e re e dialogut për Kosovën, gjatë së cilës Vuçiç do të bisedojë me të gjitha institucionet e rëndësishme dhe individët, do të sjell një politikë të re. “Në këto bisedime pres që Kisha ortodokse serbe, si mbrojtëse shekullore e popullit dhe kulturës tonë në Kosovë, të jetë partner i mirë dhe me ndikimin e saj të ndihmojë në vendosjen e një lloji të ri të dialogut ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Pres që Kisha të mos bëjë presion mbi presidentin Vuçiç para se të fillojë dialogu për Kosovën”, tha Mihajloviç.

Zëvendëskryeministrja serbe tha se të gjitha politikat e deritashme kanë sjellë këtë gjendje, që Kosova është gjithnjë e më larg Serbisë. “Në duhet një politikë e re, e mençur dhe racionale, të cilën do ta zbatojë presidenti Vuçiç dhe Qeveria e Serbisë”, tha ajo.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: