Partizani ka zyrtarizuar përforcimin e parë në merkaton e dimrit. Sulmuesi nigerian 22-vjeçar, Methju Boniface, do të jetë pjesë e të kuqve duke filluar nga janari dhe deri në përfundim të sezonit të ardhshëm.
Lajmi është bërë i ditur në profilin zyrtar në “Facebook” të Partizanit. Në këtë mënyrë, “demat e kuq” ia kanë dalë të mposhtin Skënderbeun edhe në “ndeshjen” e parë në merkato. “Klubi njofton se ka arritur marrëveshjen me Matheu Boniface.
Sulmuesi 22 vjeçar i cili në pjesën e parë të sezonit ishte pjesë e ekipit të “Trepça” 89 do të aktivizohet tashmë me 15 –të herë Kampionët e Shqipërisë. Shtatlarti me shtetësi Nigeriane në sezonin 2015 – 2016 ishte pjesë e qipriotëve të Aris Limasol . Me të kuqtë Boniface ka nënshkruar një kontratë deri në përfundim të sezonit 2017–2018.
Boniface
Prezantimi i sulmuesit Nigerian do të bëhet në ditët e para të muajit Janar 2017″, – sqarohet në “Facebook”. Kjo fitore në merkato vjen fill pasi Partizani “likujdoi” në Korçë Skënderbeun me rezultatin 1-2. Me këtë fitore Partizani renditet në vendin e dytë, me vetëm një pikë më pak se Kukësi kryesues që ka 36-të. Humbje e dyfishtë kjo për Skëndërbeun sepse përveçse humbet ndaj një kundërshtari direkt, largohet edhe nga kryesimi. Korçarët gjenden në vendin e tretë me 32 pikë.

Boniface u bashkua në verë me korçarët, por kampionët nuk arritën ta federonin për shkak të problemeve me dokumentacionin që sulmuesi kishte me ish-ekipin e tij, Aris Limasol në Qipro. Gjatë pjesës së parë të këtij sezoni ai u aktivizua në Kosovë me skuadrën e Trepça ’89 dhe plani ishte që në janar do të kthehej në Korçë, por Partizani u tregua më i shpejtë për ta bindur nigerianin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb