TIRANE– Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati ka reaguar lidhur me vendimin e Kuvendit maqedonas për miratimin e ligjit për gjuhët, ku përfshihet edhe shqipja.

Në një postim në ‘Facebook’ Bushati theksoi se ky hap përbën një arritje të madhe për shqiptarët si popullsi shtetformuese. Mes të tjerash numri një i diplomacisë shqiptare tha se finalizimi i kësaj sipërmarrje demonstron pjekuri politike dhe mirëkuptimit ndëretnik.

URIMI I BUSHATIT
GJUHA SHQIPE NË MAQEDONI!
Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe nga Parlamenti pas refuzimit të Presidentit dhe sjelljes obstruksioniste të segmenteve të caktuara të politikës së vjetër në Maqedoni përbën një arritje të rëndësishme për shqiptarët si popullsi shtetformuese dhe hap përpara për demokratizimin e forcimin e rrugës euroatlantike të Maqedonisë.
Finalizimi i kësaj sipërmarrje të vështirë dhe këmbëngulja e demonstruar pavarësisht pengesave të panumërta është dëshmi e pjekurisë politike dhe mirëkuptimit ndëretnik.
Zbatimi i duhur i ligjit dhe vendosja e mekanizmave të monitorimit garanton një akses më të mirë e më të drejtë në shërbime dhe një përfshirje të shqiptarëve në mirëqeverisje, politikat zhvillimore dhe ndërtimin e një shoqërie të hapur, pa mure ndarëse, e të bazuar në vlerat europiane.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb