PRISHTINE- Angelina Eichhorst, Zëvendësdrejtoreshë Menaxhuese për Evropë dhe Drejtoreshë për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në Shërbimin e Jashtëm Evropian, ka qëndruar sot në Kosovë, ku ka takuar kryeministrin Haradinaj dhe kryeparlamentarin Veseli. Në një deklaratë për mediat, ajo ka bërë një listë të prioriteteve – reformave që duhet të kryejë Kosova, në mënyrë që të shënojë progres në rrugën e saj evropiane.

Eichorst ka thënë se mesazhi i saj për liderët e Kosovës është që të njohin rëndësinë e momentit aktual duke menduar në mënyrë strategjike dhe duke kapur mundësinë për t’iu afruar BE-së sa më parë që është e mundur.

Zyrtarja e BE-së ka kërkuar reforma në fushën e sundimit të ligjit, drejtësisë dhe të drejtave themelore të njeriut.

Ajo ka kërkuar ratifikimin e IPA 2016 e cila do të sjellë 70.5 milionë euro nga BE për popullin e Kosovës.

Gjithashtu, nga Prishtina pret edhe përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, implementimin e MSA-së dhe përkushtimin ndaj dialogut me Serbinë.

Dialogut me Serbinë i ka kushtuar një vëmendje të madhe duke thënë se zgjidhja e çështjeve të hapura me Serbinë do ta bëjë më të fortë Kosovën.

Kur është fjala për demarkacionin, Eichorst nuk ka komentuar veprimin e kryeministrit Haradinaj i cili ka shkarkuar Komisionin për Shënimin e Kufirit në krye me Murat Mehën, por ka kërkuar që demarkacioni të ratifikohet në Kuvend.

“Përmbushini kriteteret e mbetura për liberlaizimin e vizave: ratifikoni Marrëveshjen për demarkacionin dhe forconi arritjet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Tregoni se jeni të afftë për të ofruar zgjidhje, udhqejini marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bëhuni partner kredibil. Kjo do t’i hapë dyert për investime në ekonominë e Kosovës. Do t’ia mundësojë popullit të Kosovës që të ndihet pjesë e plotë e familjes evropiane. Ju lutemi bëjeni për ta”, ka qenë mesazhi i Eichorstit për udhëheqësit kosovarë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb