NGA ORNELA MANJANI

TIRANE– Pronari i shpronë suar i tokës bujqë sore do të kompensohet për vlerën e tokës bujqësore me çmimin e hartës aktuale. Pronari i shpronësuar i tokës truall do të kompensohet me vlerën e tokës truall referuar çmimit të hartës së vlerës së pronës aktuale, duke realizuar të gjitha pritshmëritë e tij. Këto janë dy kategorizimet mbi të cilat do të kryhet kompensimi i 29 mijë pronarëve me ligjin e ri për kompensimin e pronës. Drejtoresha e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sonila Qato, shpjegon procedurat që do të ndiqen për kompensimin e pronave pas miratimit të ligjit të ri. Nga ky ligj do të preken rreth 26 mijë vendime për kompensim. Formula që parashikon ligji është kompensimi që do të përfitojnë subjektet e shpronësuara, do të jetë vlera e llogaritur e pronës së njohur për kompensim, minus diferencën e tokës së kthyer.

Vendimet përfundimtare që kanë të njohur vetëm të drejtën e kompensimit, kompensohen sipas zërit kadastral që ka pasur prona në çastin e shpronësimit. Ndryshimet e reja përcaktojnë se vlerësimi për vendimin përfundimtar që ka njohur të drejtën e kompensimit, bëhet duke marrë si referim zërin kadastral, sipas origjinës së pronës që ndodhet më pranë pronës që do të kompensohet, duke u bazuar në hartën e vlerës në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit. Në rast se pranë pronës që do të kompensohet gjenden disa zëra kadastralë të njëjtë me atë të origjinës së pronës, me distancë të njëjtë dhe me vlera të ndryshme, atëherë për referim në përllogaritje merret zona që ka çmimin më të lartë.

DRAFTI
Ky draft-ligj formalizon për herë të parë regjistrimin e të drejtës e parablerjes në regjistrat përkatës të ZVRPP, duke garantuar të gjithë pronarët për zbatimin e këtyre vendimeve gjatë privatizimit apo shitjes me ankand të aseteve shtetërore në pronën e njohur. Draft-ligji formalizon për herë të parë rezervimin e fondit të tokës për kompensim fizik pranë ZVRPP, duke siguruar paprekshmërinë e tij. Komisioni ndërinstitucional që do të ngrihet do të ketë detyra që burojnë nga ky ligj, për identifikimin, verifikimin dhe vënien në dispozicion të këtij procesi prona shtetërore me status të pastër shtet.

Ky fond për herë të parë administrohet nga procedura e ankandit, përmes të cilës synohet shpërndarja e fondit të tokës apo shtimi i burimeve financiare, me transparencë të plotë ndaj publikut. Mbivendosjet nuk do të jenë me pengesë për përfitimin nga kompensimi financiar për pronën e lirë nga mbivendosja, ndërkohë që vlera e pronës në këtë lloj konflikti, do të ngrijë në llogari bankare, deri në zgjidhjen e mosmarrëveshjes me vendim gjykate apo marrëveshje deklarative mes palëve. Draft-ligji mënjanon procedurat e gjata të aplikimit dhe vetëvepron përmes çeljes dhe derdhjes së shumës së kompensimit automatikisht në numrat e llogarisë të hapura nga vetë agjencia.

LIGJI I RI
Sipas drejtoreshës së AKKP-së ligji ri u mbështet në hartimin e këtij draft-ligji, duke respektuar parimet e: Sigurisë juridike të pronës, barazisë juridike në trajtimin e pronarëve, transparencës dhe përpjekjen për të rritur besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë, në kuadër të angazhimit të vendit tonë drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Sipas Qatos jurisprudenca e krijuar nga vendimmarrja e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, praktika e sjellë përmes shqyrtimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese, së bashku me sugjerimet e shprehura nga grupet e interesit në këtë fushë kanë qenë piketat e para të kësaj reforme.

“Vendimi pilot i GJEDNJ dhe zbatimi i planit të veprimit të miratuar nga qeveria në muajin prill të vitit 2014 solli detyrën për ndërmarrjen e masave konkrete në reformimin e këtij procesi përmes realizimit të një formule të re, të thjeshtë dhe realiste, e cila do të mund të siguronte misionin për të përmbyllur këtë proces brenda një afati të arsyeshëm dhe duke identifikuar një mjet të brendshëm dhe efektiv, për mundësimin e një kompensimi të mjaftueshëm dhe të përshtatshëm për pronarët, mbas një periudhe 23-vjeçare moszbatimi të zgjatur të vendimeve për kompensim”,- thotë Qato. Sipas saj e drejta e të gjithë pronarëve për të gëzuar një shpërblim të drejtë me qëllim rivënien në vend të padrejtësive nga pasojat e regjimit të kaluar totalitar, bazohet në parimin e ndershmërisë dhe të drejtësisë, përkrah parimit të interesit publik dhe të shtetit social.

RISITË E LIGJIT
“Objektivi i ligjit është zvogëlimi sa më shumë të jetë e mundur i të gjitha padrejtësive të bëra, duke konsideruar mundësitë dhe kushtet ekonomike të vendit tone. Ndaj, risia e kësaj reforme, është zgjedhja brenda të gjitha mundësive ekonomike dhe ligjore të shtetit, për një sistem efektiv”. Reforma përqendrohet edhe në rregullimin material dhe procedurial të mekanizmave për të siguruar paprekshmërinë dhe administrimin e fondit të kompensimit të pronave dhe parashikimin e procedurave të thjeshta për të deburokratizuar sistemin.

“Shtylla e parë e kësaj reforme sjell risi në trajtimin e së drejtës për njohje pronësie, duke legjitimuar kthimin përmes kompensimit fizik në pronën e njohur aty ku ligji ka fushë zbatimi. Për të realizuar brenda një afati të arsyeshëm vendimmarrjen e zvarritur deri më sot për rreth 9300 kërkesa, draft-ligji ngarkon Agjencinë e Trajtimit të Pronës, të shqyrtojë dhe të marrë vendime brenda një afati prekluziv 3-vjeçar. Draft-ligji parashikon gjithashtu një afat prekluziv prej 6 muaj, për pranimin e kërkesave të reja për njohje pronësie. Ekspertiza e bërë, ka rekomanduar mbylljen e këtij procesi menjëherë mbas shfuqizimit të ligjit në fuqi për kthimin dhe kompensimin e pronës”,-thotë Qato. Sipas saj grupi i punës në mbështetje të sugjerimeve të grupeve të interesit miratoi vendosjen e një afati të arsyeshëm për pranim aplikimesh për të gjithë pronarët e interesuar edhe pse në këto 23 vjet proces nuk kanë bërë hapin e parë për të kërkuar njohjen e pronësisë.

“Kjo reformë rregullon edhe trajtimin e pronave në proces legalizimi, ku në zonat urbane vepron duke çliruar bllokimin e deritanishëm për njohje pronësie, ndërkohë që, i nënshtrohet zbatimit të rregullave të këtij ligji, zonat e shpallura informale, të cilat trajtohen automatikisht me kompensim duke i hapur rrugën planifikimit dhe zhvillimit urban të tyre”,- thotë Qato. Shtylla e dytë ku mbështetet kjo refor më është realizimi i një mjeti të brendshëm efektiv për nisjen për herë të parë të ekzekutimit të të gjitha vendimeve për kompensim nga viti 1993. “Nëse përfundimi i procesit të njohjes së pronësisë dhe vendimmarrjes është zvarritur në mënyrë abuzive gjatë gjithë këtyre viteve, por që efektivisht është një proces ku 75% e dosjeve të administruara i është nënshtruar vendimmarrjes, 96,6 % e të gjitha vendimeve të dhëna me disponim kompensim prone në një nga mënyrat e parashikuara në ligj, nuk janë ekzekutuar asnjëherë qoftë edhe pjesërisht. Regjistri elektronik i vendimmarrjes së realizuar në korrik të vitit të kaluar, numëroi për herë të parë një numër prej 26 mijë vendimesh të cilat presin të kompensohen”,- shpjegon Qato.

KOMPENSIMET
Në zbatim të legjislacionit në fuqi, viti 2005 shënon fillimin e procesit shumë të diskutuar të kompensimit financiar të pronarëve, nga ku deri më sot, janë kompensuar pjesërisht 862 subjekte të shpronësuara, me një vlerë nga buxheti i shtetit prej 4 mld lekë. “Ekzekutimi i vendimeve të komisioneve të cilësuara nga jurisprudenca si quasi gjyqësore është emergjente dhe kërkon një zgjidhje e cila vë përballë njëri-tjetrit: Nga njëra anë interesat e pritshme të pronarëve për kompensim të pronës së tyre dhe nga ana tjetër mundësinë ekonomike dhe financiare të shtetit si garant i shtetit të së drejtës dhe vendosjes së një drejtësie sociale. Ndaj ky draft-ligj në bindjen tonë shënon një kthesë të rëndësishme në historinë e trajtimit të kësaj problematike. Për herë të parë qeveria mori përsipër të identifikojë faturën që shteti do të përballojë për ekzekutimin e të gjitha vendimeve të dhëna për kompensim. Sikurse të gjitha institucionet bashkërenduese në këtë proces reformues analizuan të gjitha resurset e mundshme ekonomike dhe financiare për tu vënë në dispozicion të kompensimit të pronarëve”,- thotë Qato.

FONDI
Garantimi i një shpërblimi të drejtë, brenda një afati të arsyeshëm duke i trajtuar në mënyrë të barabartë të gjithë pronarët shprehet në draftligj përmes një fondi të garantuar dhe të paprekshëm për kompensimin e pronarëve, i cili përbëhet nga: Fondi vjetor buxhetor me rritje progresive të detyrueshme mesatarisht 5 mld lekë në vit me afat 10-vjeçar dhe fondi i tokës, me status juridik të garantuar shtet. “Vendoset një koncept i ri në përllogaritjen e shumës financiare për ekzekutim të vendimit përfundimtar për kompensim, duke u bazuar në zërin kadastral në momentin e shpronësimit me vlerën e tregut që ky zë kadastral përcaktohet sipas vlerës së hartës. Vlera e shtuar e pronës së kthyer, është një tjetër mekanizëm në vlerësimin e kompensimit të vendimit me ndryshim zëri kadastral”,- thotë Qato.

Mekanizmat e rinj për implementimin e rregullave të reja në procesin e kompensimit fizik apo financiar përbejnë dhe thelbin e efikasitetit të kësaj reforme, përmes vlerësimit ekonomik një e nga një, të të gjithë vendimmarrjes së realizuar, apo që do të realizohet deri në mbylljen e procesit duke u orientuar nga rendi kronologjik i vendimmarrjes më të vjetër në kohë. Për të zbatuar këtë reformë, draft-ligji ka parashikuar proceduara të sakta dhe afate të përcaktuara duke filluar menjëherë nga ekzekutimi i vendimeve përfundimtare për kompensim. Kështu, brenda 6 muajve agjencia merr përsipër detyrën për të identifikuar përmes një regjistri mangësitë formale të 26 mijë vendimeve për kompensim. Të gjithë pronarët e interesuar, brenda 6 muajve në vijim duhet të plotësojnë mangësitë e identifikuara me qëllim ekzekutimin e vendimeve përfundimtare. Ky afat është konsideruar i rëndësishëm për plotësimin formal të vendimeve për kompensim me vendimet gjyqësore të formës së prerë në lidhje me to. Ndërkohë që të gjitha vendimet e kompensimit të përcaktuara në vlerë dhe ende të pa ekzekutuara, do të kompensohen duke llogaritur edhe interesin bankar dhe vlerën përkatëse të inflacionit të llogaritur nga Banka e Shqipërisë nga momenti i njohjes së pronës.

(be/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: