Prokuroria e Krimeve të Rënda ka gati dy letër porosi për dy vende të ndryshme në lidhje me suedezin e arrestuar në Murriqan me 19 pistoleta. Burime për Balkanweb thanë se letër porositë do të dërgohen në Kosovë dhe Suedi.
Prokuroria pritet ti dërgojë një letër porosi organit të akuzës në Kosovë, ku 21 vjecari ka qëndruar për katër ditë, vend ku edhe ka marrë ngarkesën e armëve. Në letër porosi do të kërkohen pamjet nga kamerat e sigurisë, në vendet ku shtetasi suedez ka qëndruar për të zbuluar mbi personat e përfshirë në këtë trafik, pasi ende mbetet mister porositësi i armëve si edhe personi që i dorëzoi ato.
Ndërsa një tjetër letër porosi pritet të dërgohet në Suedi, për të mësuar më shumë mbi të kaluarën e personit të dyshuar, nëse ka patur apo precedentë të mëparshëm kriminalë.
Një ditë më parë, ndërsa gjykata e krimeve të rënda caktoi masën e sigurisë arrest me burg për 21 vjecari, Prokurori Vladimir Mara u shpreh se nga hetimet rezulton se ai ka udhëtuar në rrugë ajrore nga Suedia në Prishtinë, duke kaluar tranzit në Turqi. Në kryeqytetin e Kosovës, ai ka qëndruar katër ditë, ku edhe ka marrë ngarkesën e armëve. Drejt Suedisë – theksoi prokurori – i dyshuari ka vendosur të kthehet në rrugë tokësore, me autobuzin e linjës Kosovë-Gjermani. Në pikën e kalimit kufitar, në Muriqan gjatë një kontrolli rastësor – thekspo përfaqësuesi I organit të akuzës – u zbulua ngarkesa me armë që I përkiste shtetasit suedez.
Përpara grupit të hetuesve, prokurorëve, i riu ka deklaruar se do të bënte trasportin kundrejt një shume parash, por pa dhënë detaje të mëtejshme.
Ai ka refuzuar të zbulojë bashkëpunëtorët, duke pretenduar se si personin që I dorëzoi armët ashtu dhe pritësin e tyre, nuk i njihte.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb