Nga Fatos Çoçoli
Nuk ka asnjë gjë të keqe nëse një monedhë kombëtare vlerësohet fort në tregun e këmbimit me monedhat e tjera, sidomos ato të forta (dollarë, euro, etj.), për shkak të mbarëvajtjes së ekonomisë që përfaqëson. Përkundrazi. Tek e fundit, vlera e shtuar që prodhohet në një ekonomi e forcon monedhën. Mirëpo kur arsyet nuk janë ato themelore (rendimenti i rritur, eksportet, investimet e huaja, etj.), rritja e vlerës së këmbimit të monedhës vendëse bëhet artificiale dhe e dëmton ekonominë në tërësi. Këtë rritje kallpe po e pëson edhe leku ynë prej tri vitesh tashmë, por sidomos prej 7 muajve të fundit (në raport me euron, për periudhën dhjetor 2017-qershor 2018 është rritur me 9 për qind).

Prurja e pazakontë nga aktiviteti i shitjes së kanabisit, apo edhe tranzitimi i kokainës, e ktheu monedhën tonë krejt artificialisht në një supermonedhë. Rritja artificiale e monedhës vendëse i shqetëson shumë eksportuesit që humbasin drejtpërsëdrejti, por edhe bankat qendrore.

Nuk janë të rralla rastet kur bankat qendrore, edhe ato të vendeve të vogla blejnë valutë me shumicë, për të ndihmuar monedhën e tyre kombëtare të zhvlerësohet, të largohet nga një rritje që bën më shumë dëm, se sa favorizon. Në plan të parë, duket sikur lëvizin në treg për të mbrojtur eksportuesit dhe pritshmëritë (shpresat) e këtyre të fundit, madje edhe të qytetarëve që thjesht kanë valuta ndër duar, janë të larta. E ka bërë banka qendrore e Zvicrës për gati tri vite (shtator 2011-janar 2015).

Kjo, për arsye se kriza ekonomike botërore që shpërtheu në shtator 2008 dhe arriti kulmin në vitin 2011 tronditi nga themelet besimin e investuesve ndërkombëtarë tek vlera e këmbimit e dollarit dhe euros, dhe të gjithë vrapuan tek frangu zviceran, si një liman i qetë ku mund të ankoronin investimet e tyre. Banka Kombëtare e Zvicrës luftoi 1227 ditë për të zhvlerësuar frangun zviceran. Në nëntor të vitit 2013, nisi blerjet masive për të ulur vlerën e këmbimit të korunës edhe Banka Kombëtare e Çekisë. Tani, po e bën banka qendrore e Serbisë, e cila ka blerë 90 milionë euro në 35 ditë (29 maj-3 korrik 2018), për të zhvlerësuar sa të mundet dinarin serb tejet të fortë.

Të gjitha bankat qendrore që kërkojnë një monedhë kombëtare me vlerë më të ulët, i frikësohen uljes së inflacionit nga rritja e vlerës së monedhës përtej kufijve kontrollues, deri në rrezik për deflacion. Deflacioni është dukuria kur për një periudhë kohe (qoftë edhe dy tremujorë njëri pas tjetrit apo një vit), mesatarja e çmimeve në një vend bie. Në pamje të parë, kur ulen në tërësi çmimet, duket si gjë e mirë, pse fiton konsumatori që blen pak më shumë.

Në plan të së gjithë ekonomisë, kjo është situata më e rrezikshme, pse shterojnë shtysat, impulset për sipërmarrësit që të prodhojnë më shumë mallra dhe shërbime. Ja përse bankat qendrore e vendosin edhe në ligjin e tyre themeltar që shënjestrojnë (synojnë) mbajtjen e një inflacioni çmimesh në nivele të ulëta të kontrollueshme (Banka e Shqipërisë e ka 2-4 për qind inflacion në vit). Secili guvernator, si ai i Zvicrës në shtator 2011, i Çekisë në nëntor 2013, apo i Serbisë në maj 2018, deklaruan se blenë euro për të luftuar deflacionin.

Dhe mirë bënë. Banka e Shqipërisë bleu euro më 6 qershor 2018, kohë kur si sipërmarrësve, edhe qytetarëve po u “digjnin” eurot që kishin ndër duar. Ndërhyrja ishte gati shpëtimtare. Në kohën dhe masën e duhur. Tregu reagoi menjëherë, duke zhvlerësuar lekun. U qetësuan qytetarët, eksportuesit, si dhe sipërmarrësit në tërësi. U qetësuan të gjithë. Guvernatori i bankës sonë qendrore doli në publik dhe garantoi se banka e të gjithëve (kështu realisht duhet konsideruar një bankë qendrore) do të ndërhynte, pra blinte euro, sa herë rrezikoheshin objektivat e saj. Të gjithë morën frymë lirshëm. Por mina nën ujë është oferta dhe sasia e eurove të ekonomisë kriminale, asaj të drogës dhe korrupsionit.

Duke mos u ditur kjo sasi, nuk përgatit dot as edhe strategjitë mbrojtëse. Banka e Shqipërisë “çadrën mbrojtëse” duke blerë euro pa pushim, sa herë bie kursi i euros në Shqipëri, nuk mund ta mbajë hapur përgjithmonë. Janë të domosdoshme studime krahasuese për praninë e eurove nga aktiviteti kriminal dhe stokun e tyre në ekonominë tonë, me të dhëna alternative dhe simulime që mund të përcaktojnë deri diku me vërtetësi sasinë e eurove që e bëjnë lekun superlek. Për këtë ia vlen të ndërgjegjësohen si banka jonë qendrore, ashtu dhe INSTAT dhe institucionet e tjera që prodhojnë shifra. Është sikur të jesh në një ring dhe kundërshtarin të mos e shohësh, as edhe të mos e kuptosh fuqinë e grushtit që të vjen. Ke rrezik të biesh lehtë në “knock-down (përdhe)”. /GazetaShqiptare/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb