Nga: Mero Baze

Ndërsa turisti i huaj hyn në Shqipëri, në portin e Durrësit, pasi kalon policin, doganierin dhe kontrollin, ka punë dhe me disa qytetarë të tjerë. Fillimisht një fëmijë që lyp dhe nuk të ndahet sa t’i japësh diçka. Pastaj dikush që kërkon ti ndihmosh një fondacion, më tej një lypës tjetër dhe ti duhet t’i japësh shumë gaz makinës, të shpwtosh nga ideja se vërtet nuk paguan taksë kur hyn si turist, por një tufë njerëzish të tjerë janë dukë të pritur si gjah për biznesin e tyre.

Pastaj, ti ke ikur, ke shpëtuar prej tyre dhe i je afruar hotelit ku do pushosh. Rrugës për tek ai, disa njerëz gati mund t’i shtypësh me veturë ngaqë të hipin tek dera e saj me çelësa në dorë. Ti u thua se ke hotel, por ata këmbwngulin se shtëpia e tyre është më mirë. U ikën dhe atyre.

Gjithçka është në rregull bë hotel, recepsioni, akomodimi dhe ti vendos të dalësh në plazhin e hotelit.

Pasi ke paguar dhe biletën e shezlongut ku pushon, dhe do të dremitësh pak, dikush vjen të zgjon dhe të ofron misra të pjekur. I thua se nuk do, por ai këmbwngul se janë të njomë dhe ti ndoshta do ta heqësh qafe dhe ja blen.

Sa të shikojnë si blerës të mundshëm, të afrohet dikush me pjeshkë dhe qershi. Ti mund t’i refuzosh, por ai të shikon gjithë mëshirë dhe ti duhet t’ia blesh dhe atij. Ndërkohë nuk ke ku t’i vendosësh dhe të duhet një qese. Ngre kokën të shikosh dikw dhe të afrohet dikush që të shet dhallë dhe e ka nga termusi. Ti këmbwngul se nuk do dhe ai ikën duke shfryrë.

Tjetri ka pikasur që ti do qese dhe vjen ti shet, se siç thotë ai, dhe tek QTU me lekw janë.

I blen disa qese të fusësh ato që ke blerë dhe ke vendosur të pushosh më në fund.

Ndërsa tenton të hapësh librat, mendon se ato që ke blerë mund të prishen dhe fillon t’i hash. Pastaj do çohesh të kërkosh diku një vend për të hedhur plehra dhe ndeshesh prapw me bandën e shitësve që të imponohen sikur të jenë tatimorët e fshehtë të bregdetit.

Ndërsa ulesh të qetësohesh përfundimisht, vjen dikush e të zgjon duke të pyetur mos është fëmija jot ai që po rrezikon atje tej. Në fakt, ti s’ke fare fëmijë me vete. Por ke dëgjuar që po mbyten njerëz në plazhe dhe të prishet gjaku duke parë nga ai që tregon roja….

Përshkrimi nuk është i imi. Është një rrëfim i një kolegu gazetar që ka ardhur nga Zvicra të pushojw një javë në Shqipëri. Ndërsa unë i flas për plazhet e lira e sjelljet e mira në dogana, që kanë ndryshuar, ai mi pranon me bezdi, i paduruar për të më treguar bezdinë e tmerrshme të njerëzve që kërkojnë të të imponojnë axhendën e tyre tregtare.

Është një shenjë që tregon se ndërsa shteti tenton të vendosw disa rregulla sigurie dhe lehtësirash, ka lënë turistët në dorë të një shoqërie thuajse grabitqare, e cila ka axhendën e saj, pamvarësisht arsyeve përse një turist vjen në Shqipëri.

Kjo lloj sjellje që i jep vendit imazhin e një qyteti të varfër indian, me romë nëpër këmbw që të lypin dhe njerëz që të imponohen në rehatinw tënde. Kjo është diçka me të cilën ne jemi familjarizuar dhe nuk na bën shumë përshtypje. Por dikush që ka ardhur të pushojë këtu natyrisht nuk na e ka borxh. Është një imponim brutal që tejkalon joshjen që ke prej çmimit të ulët të hotelit apo ushqimit. Mbi të gjitha, është një shenjë që na tregon se jemi familjarizuar me një shoqëri që të shikon si gjah, më shumë se sa si turist./Tema

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: