TIRANE-Pasi presidenti Ilir Meta vendosi që të rikthejë në Kuvend ligjin për shembjen e Teatrit, Presidenca ka reaguar në përgjigje të deklaratave që u prodhuan dje.

Përmes një njoftimi për shtyp, zyra e Presidencës shpreh keqardhje për reagimet për dekretin, duke i cilësuar ato emocionale. Mes të tjerash Presidenca fton që të gjitha palët të udhëhiqen nga interesi kombëtar. Në vendimin e djeshëm, që i hap rrugë sërish diskutimeve në Kuvend, jepen të plota 9 argumentet mbi të cilat është mbështetur Meta, që sipas tij nuk janë marrë parasysh.

Më 5 korrik maxhoranca votoi me 75 vota pro ligjin për shembjen e teatrit, duke i hapur rrugë ndërtimit të një godine të re, ndërsa opozita protestoi duke hedhur kartona të kuq. Tashmë pritet që ky ligj të rikthehet në Kuvend, në muajin shtator.

DEKLARATA
28 korrik 2018

Presidenti i Republikës, duke ndjekur reagimet politike pas publikimit të dekretit për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, shpreh keqardhjen për reagimet sipërfaqësore, emocionale e të pathelluara.

Presidenti i Republikës i fton të gjithë të shqetësuarit për ndërtimin e një teatri të ri të kenë durim e të lexojnë me objektivitet dekretin, të gjithë arsyetimin, argumentet dhe konstatimet ligjore të cilat bazohen vetëm në Kushtetutën e Shqipërisë, konventat e marrëveshjet ndërkombëtare ku vendi ynë është palë, detyrimet që lindin prej tyre dhe legjislacionin tonë në fuqi.

Dekreti i Presidentit të Republikës i mbështet argumentet vetëm mbi dokumentacionin zyrtar bashkëshoqërues të ardhur nga Kuvendi i Shqipërisë.

Presidenti i Republikës është i bindur se, nëse të gjithë do të udhëhiqen vetëm nga interesi kombëtar dhe publik, jo vetëm garantohet ruajtja e kompleksit teatror e restaurimi i tij si pjesë e trashëgimisë kombëtare, por edhe garantohet ndërtim i teatrit të ri në mënyrën më transparente e më të përgjegjshme, duke respektuar plotësisht legjislacionin aktual si dhe duke shmangur çdo konflikt artificial.

Me këtë rast Presidenti i Republikës fton të gjithë të interesuarit për zgjidhje të lexojnë me vëmendje në faqen zyrtare të Institucionit të Presidentit të Republikës http://president.al/njoftim-per-media/ dekretin, arsyet e kthimi për rishqyrtim në Kuvend të këtij ligji.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb