Sonte në Spanjë do të luhet seria e fundit e ‘telenovelës’ Luca Modric, lojtarit që prej më shumë se 3 javësh përflitet se do të kalojë te Interi.

Mediat në Spanjë, por edhe në Itali, shkruajnë se sonte më në fund do të ndodhë takimi mes lojtarit kroat dhe presidentit të Real Madrid, Fiorentino Perez.

Nuk është më sekret se 32-vjeçari kërkon largimin nga “Bernabeu”, por mbetet për t’u parë përgjigjja e numrit 1 të ‘mbretërorëve’ që me siguri do të insistojë për të mos humbur një tjetër ‘yll’.

Koha në dispozicion është e pakët pasi nesër në orën 20:00 mbyllet merkato në Itali, ndaj miratimi i Perezit do të bënte që Interi të hidhej direkt në sulm.

Ndërkohë mbi të gjitha tifozët zikaltër vijojnë të shpresojnë në afrimin e kroatit, që do të “hapte oreksin” e tyre për këtë sezon, por gjithsesi situata duket e vështirë, pasi shanset më të mëdha janë që Perez të konfirmojë vullnetin e tij për të mos e lejuar largimin e Modriç.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb