Edhe njëherë, Mostafa Mohammadi, një agjent i Ministrisë së Inteligjencës së Iranit (MOIS) vazhdon
të tregojë gënjeshtrën e tij të dalë boje. Këtë herë në vend të portave të Kampeve Ashraf dhe Liberty në Irak, Mostafa është në Shqipëri, në vendin ku ndodhet kampi i ri i refugjatëve të Mujahedin e-Klahq (MeK).

Gënjeshtra e Mostafa-it është thjesht një faqe nga libri i vetëm i strategjive që kanë krijuar ekstremistët
iranianë që sundojnë Teheranin, në përpjekjet e tyre për të shkatërruar jetët dhe besueshmërinë e refugjatëve të MeK, të cilët janë vendosur tashmë në mënyrë paqësore në një komunitet jashtë Tiranës.
Mostafa pretendon se e bija, Somayeh, është rrëmbyer nga MeK dhe është mbajtur për vite të tëra kundër vullnetit të saj. Si të gjithë refugjatët e MeK, Somayeh është intervistuar nga Byroja Federale
e Investigimit e Shteteve të Bashkuara (FBI) në vitin 2004.

Gjysmë dekade më vonë, për të përcaktuar nëse pretendimi i babait të saj kishte ndonjë validitet, Somayeh u intervistua sërish nga Komandanti i Ushtrisë Amerikane të Kampit Ashraf, Nënkoloneli (LTC) Leo McCloskey. Somayeh ia bëri të qartë LTC McCloskey-it se ajo qëndronte në Kampin Ashraf me vullnetin e saj të lirë. Somayeh nuk kishte asnjë dëshirë të largohej dhe e zhvlerësoi pretendimin e të atit. Në kohën ndërmjet intervistave të FBI dhe LTC McCloskey, unë kam shërbyer si Komandant i Bazës së Ashrafit. I vizitoja vazhdimisht të gjitha komplekset e banorëve të MeK. Po të kishte dashur Somayeh të largohej, ajo mund të kishte kërkuar ndihmë. Kushdo ta kishte bërë këtë, unë do ta kisha përcjellë personalisht jashtë kampit. Për më tepër, unë përpilova së bashku me lidershipin e MeK një protokoll të shkruar për banorët që donin të transferoheshin në kampin e operuar nga amerikanët.

Ky protokoll u krijua pjesërisht për arsye se udhëheqja e MeK më solli në vëmendje banorë që e ndienin se shërbimi i tyre ndaj MeK kishte përfunduar dhe tani donin ta linin organizatën. Ne strehuam pothuajse dyqind prej tyre dhe duhej të krijonim procedura zyrtare për transferim. Somayeh mund të ishte transferuar edhe përmes këtij procesi po të kishte dashur. Për sa i përket librit të strategjive që përmenda më sipër, ajo çfarë më shqetëson më shumë janë kapitujt e tjerë për të cilët kam qenë dëshmitar gjatë kohës që shërbeja si Oficer i Lartë i Antiterrorizmit për të gjitha Forcat e Koalicionit në Irak, Shef i Operacioneve të Operacioneve të Ndalimit (Task Forca 134), dhe si Komandant i Ashrafit. Kapitujt e tjerë të librit përfshijnë sabotimin e stabilitetit të kundërshtarëve të tyre apo atyre që i perceptojnë si kundërshtarë. Kjo përfshin edhe më shumë operacione të hapura shpifjeje në përpjekje për të krijuar një mjedis armiqësor për banorët. Ashtu siç u bë me sukses në Irak, Irani po luan ndaj qeverisë shqiptare me oferta diplomacie, ndihmese dhe mbështetjeje. Sulmet tokësore dhe me raketa janë, gjithashtu, të përfshira në këtë libër strategjish, i cili përfundon me një përpjekje për ta detyruar qeverinë mikpritëse që t’i përjashtojë banorët nga vendi.

Sulmi im i preferuar shpifës nga MOIS ka qenë kundër meje. Gjatë viteve, jam akuzuar në mënyrë të
rreme nga një ish-anëtar i MeK, i cili banonte në kampin e kontrolluar nga amerikanët, dhe që u rekrutua më vonë nga MOIS. Akuza ishte që unë kisha abuzuar me banorë të tjerë të transferuar në
vitin 2005. Në atë vit unë kam qenë i pozicionuar në Pentagon, dhe nuk kam qenë në Ashraf deri në
vitin 2006. As dy oficerët e tjerë amerikanë të akuzuar se më kishin shoqëruar mua në këtë abuzim
nuk kishin qenë në kamp në kohën që pretendonte akuza. Njëri kishte ikur më përpara, ndërsa
tjetri do të vinte disa vite më vonë. Ne të tre nuk u takuam asnjëherë deri në vitin 2011. Me një fjalë, këto
akuza janë krejtësisht të pabazuara. Irani, shteti numër një për sa i përket eksportit të terrorizmit, është, gjithashtu, numri një për eksportin e propagandës. Një përgjegjësi madhore e MOIS është të parandalojë apo të minimizojë zbulimin e provave që lidhen me qeverinë e saj të korruptuar e shtypëse. MOIS e lufton të vërtetën me gënjeshtra, mashtrime, dhe me manipulim faktesh. Nëse kërcënimi i perceptuar nuk mund të neutralizohet as me këto mënyra, atëherë MOIS i kthehet mjeteve vdekjeprurëse, si atentati i fundit i dështuar për të bombarduar tubimin paqësor të rezistencës në Francë.

Për sa i takon Mostafa Mohammadi-t, ai është vetëm një faqe e hershme në librin e strategjive të MOIS. Nuk ka asnjë të vërtetë në ato çfarë ai pretendon. Ai po bën atë që ka bërë edhe në Irak, duke përhapur gënjeshtra e duke torturuar një grua të re, dëshira kryesore e së cilës është t’i shohë të gjithë qytetarët iranianë të çliruar nga tirania që sundon vendin e tyre.

* Kolonel në pension, ish-komandant i kampit Ashraf

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb