Kuvendi i Kosovës duhet të jetë i përfshirë drejtpërdrejt në procesin e dialogut me Serbinë në Bruksel. Kështu deklaroi presidenti Hashim Thaçi gjatë raportimit në Qeveri lidhur me takimin në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç, ndërsa shtoi se pret konsensus sa më të gjerë politik dhe shoqëror për këtë fazë përfundimtare të dialogut.

“Gjatë javës së ardhshme pres që me bartësit e institucioneve dhe liderët opozitar të ulemi për të konkretizuar themelimin e Ekipit negociator të Kosovës për negociata dhe të Ekipit strategjik, por edhe të komisioneve të përbashkëta që do të punojnë për çështje që do të hapen në këto takime”, tha presidenti.

Thaçi kërkoi nga spektri politik i Kosovës që të bëhen pjesë e delegacionit të Kosovës. “Ky do të ishte veprim i duhur dhe më racional, i guximshëm që e presin qytetarët e Kosovës. Gjithçka tjetër, të gjitha kritikat e pabaza, e të pamatura tregojnë shenja lodhjeje e mungesë të përgjegjësisë e guximit”, tha Thaçi.

Presidenti tha se dialogu me Serbinë si gjithmonë do të ndërmjetësohet nga përfaqësuesja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini. “…Ky proces mbështetet nga aleati ynë SHBA-të, të cilat gjatë çdo raundi të bisedimeve kanë përfaqësuesin e tyre në Bruksel. Kështu ka qenë edhe kësaj here. Unë kam zhvilluar dy takime të rregullta me përfaqësues të SHBA-së, para takimit në Bruksel”, pohoi ai.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: