TIRANE- Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Shezai Rrokaj, ka reaguar lidhur me seancën e sotme gjyqësore ku u dha masa e sigurisë për 23 të arrestuarit për protestën e dhunshme në Rrugën e Kombit.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, deputeti i LSI tregon se në momentin kur ka shkuar drej Gjykatës për t’u qëndruar pranë familjarëve të të arrestuarve, ka vënë re se rrugët e Tiranës ishin blinduar me policë.

Ai thotë se “u befasova nga një pamje si ajo e filmave hollivudianë”.

“Tirana ishte blinduar. Mbi 2000 forca policie kishin bllokuar rrugët kryesore të saj, duke bllokuar qarkullimin e njerëzve që shpejtonin për në punë”, shkruan ndër të tjera deputeti Rrokaj.
gs
POSTIMI I PLOTE
Teksa po shkoja për të ndjekur seancën gjyqësore në Gjykatë, u befasova nga një pamje si ajo e filmave hollivudianë. Tirana ishte blinduar. Mbi 2000 forca policie kishin bllokuar rrugët kryesore të saj, duke bllokuar qarkullimin e njerëzve që shpejtonin për në punë.

Gjithë kjo skenë e ekzagjeruar ishte komiko-dramatike në pamje, por tragjike në thelb. Përveç qytetarëve që nxitonin për në punë dhe borive të makinave,si shprehje e nervozizmit të këtij demostrimi të panevojshëm, në rrugë ishin edhe rreth 20 deputetë të LSI-së dhe PD-së, të cilët po shkonin në Gjykatë për të mbështetur me praninë e tyre 23 fukarenj, pa dy lekë në xhep, që do të gjykoheshin. Ky ishte “rreziku” të cilit shteti po i ruhej e që e bëri të lëshonte policinë akseve kryesore te kryeqytetit. Dhe përse, për 23 qytetarë të pafajshëm që protestuan për tarifat e larta të rrugës. Mëkati qenka kaq i madh saqë gjykimi në zonën ku ndodhi protesta ishte i pamundur. Çështja ishte e madhe, pompoze, e denjë veç për një spektakël kryeqyteti.

Kujt i po shfaqej ky demonstrim force? Vetëm rreth 20 deputetëve të opozitës që mezi po çanin radhët e ngjeshura të policëve për të mbërritur te Gjykata ku do të zhvillohej qyqi? Apo këtyre 23 fukarenjve? Kujt iu drejtua ky tension skafandrash? Qytetarëve të protestës për t’u treguar muskujt? Kundër kujt ka dalë policia e shtetit? Meqë ngjarja u zhvillua në kryeqytet kumti kërcënues i saj synonte të rezatohej në gjithë vendin.

Gjykata qe nën presionin e uniformave të ekzekutivit. Deputetët u dhunuan duke mos u lejuar të futen në sallën e gjyqit.

Imagjinoni se si u mor vendimi në kushte të tilla.
Por çfarë ndodhi në sallë? Prokuroria u shpreh se ndalimet janë bërë ditën e 1 prillit midis orës 10 dhe 12, duke falsifikuar të dhënat për orarin e arrestimeve. Gjë që u hodh poshtë nga të ndaluarit, të cilët pohuan se arrestimet janë bërë gjatë natës, duke mos u lënë mundësinë atyre as të visheshin e të mbathnin këpucët.

Organi i akuzës u shpreh se jane dëmtuar vetëm forcat e policisë, por nuk u ndal fare te shkopinjtë e gomës ndaj protestuesve dhe dëmtimet e këtyre të fundit.

Protestuesit të gjithë pohuan se u provokuan nga policia. Të arrestuarit, disa të lënë në burg tashmë dhe me vendim gjykate, ishin të gjithë familjarë, me një barrë hallesh, pa precedentë penalë, vetëm me qindarka në xhepa siç kishte rezultuar nga kontrolli i policisë.

E gjithë kjo është dëshmi e qartë se ku po shkon mjerimi i qytetarëve por ca më keq degradimi i mënyrës për të bërë drejtësi në këtë vend dhe për të ndërtuar një shtet të së drejtës në prag të çeljes së negociatave. Gjithë shteti u vu në lëvizje për këta 23 fukarenj që janë simbol i një revolte qytetare. Po ku është shteti për krimin e organizuar, për shefat e komisariateve, për zyrtarët e lartë të përfshirë në narkotrafik, për politikat sociale dhe zhvillimin e vendit e punësimin e qytetarëve?! Për protestuesit e varfërt të Kukësit a të gjithë Shqipërisë, shteti tregon dorë të hekurt, por kur vjen puna te oligrakët e trafikantët, duart i ka të lidhura. Sidoqoftë, duart e qytetarëve janë më tepër dhe kur bëhen bashkë, mjet për ta hequr qafe arrogancën e grykësinë e kësaj qeverie që s’ka të ngopur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb