TIRANE– Eugent Bushpepa është këngëtari që na mbushi me emocione dhe krenari me përfaqësimin e Shqipërisë në “Eurovison 2018”. Ai është këngëtari me zë të fortë dhe shpirt të butë, që gjithmonë na ka frymëzuar nëpërmjet muzikës së tij, por kësaj herë edhe nëpërmjet angazhimit të tij personal.

Rrokeri me zërin brilant ka vendosur jo vetëm të jetë Ambasador i “World Vision” për programin social “Tungjatjeta… Jetë”, por edhe të udhëtojë, në ato zona ku “Tungjatjeta” ka marrë Jetë.

Genti ka udhëtuar në fshatin Skroskë të Librazhdit, për të vizituar Emanuelin e vogël, i cili është një ndër 35 fëmijët që merr shërbime të specializuara falas në shtëpi nga ekipi i Tungjatjetës!

Emanueli ishte vetëm 3 muajsh kur u diagnostikua me encefalopati. Sot është 4 vjeç dhe nuk mundet as të flasë, as të ecë e as të qëndrojë ulur… Ai jeton me nënën e tij Mirën, të motrën Gentën 2-vjeçare, në një shtëpi shumë të vjetër, që një banor i fshatit, u tregua zemërgjerë dhe ua la për të jetuar kur vetë u shpërngul me shtëpi në qytet. Babai i Emanuelit, sa herë mundet, shkon në Greqi për të punuar.

Vogëlushi ka nevojë për seanca të rregullta fizioterapie dhe logopedie.

“Eshtë shumë e rëndësishme të ketë njerëz në Shqipëri që të ndihmojnë dhe që e bëjnë në mënyrë vulllnetare, sikurse janë vajzat. Unë jam i jashtëm, por kur shikoj që ka njerëz që ndihmojnë në këtë lloj mënyrë, edhe mua më bëhet zemra mal….”, shprehet Genti.

Ai sot një mesazh për shqiptarët dhe Shqipërinë. Këta fëmijë kanë nevojë për shërbime, për dashuri, për mbështetje, dhe nuk mund të vazhojme të qëndrojmë indiferent. Nesër mund të jetë shumë vonë…

Emanueli është një prej 70,000 fëmijëve në vend fëmijëve që janë me aftësi të kufizuar. Vetëm 8 % e tyre marrin shërbimet bazë.

Ky shkrim u publikua me mbështetjen e “Balfin Group”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb