Një ditë pas lajmit për arrestimin e bujshëm të 48-vjeçarit Edmond Bego në Greqi, i dënuar në Itali për trafik droge, “BalkanWeb” mëson se ai vazhdon të jetë pas hekurave në Igumenicë.

Deputeti socialist Pjerin Ndreu në një status ku i kundërpërgjigjej akuzave të opozitës së Edmond Bego është mbrojtur nga maxhoranca ndaj nuk është arrestuar, thoshte madje se ai ishte liruar nga policia greke pasi ka treguar konvertimet e dënimeve.

“…Aq me keq kur dhe vetë autoritetet greke e kanë liruar pasi ka treguar pikërisht konvertimet e dënimeve të pjellave tuaja në gjykatë!”, shkruan Ndreu.

Por burime nga policia greke thanë për “BalkanWeb” se Edmond Bego ndodhet ende i arrestuar në Igumenicë dhe nesër do vendoset për të.
“Nesër do të paraqitet para prokurorit i cili do të vendosë për mbajtjen ose jo në qeli”, thanë burime policore.

Arrestimi i tij ka hapur një tjetër front lufte mes opozitës dhe maxhorancës. PD akuzon qeverinë se i ka siguruar mbështetje dhe se policia nuk e ka arrestuar me gjithë dënimin në Itali. Por nga ana tjetër maxhoranca distancohet nga Bego dhe thotë se ai u lirua nga Gjykata e Lartë që i uli dënimin duke drejtuar gishtin nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Bego u kap dje nga shërbimet e policisë të Igumenices, në bashkëpunim me sektorin e kontrollit te pasaportave të Sajadhes. Ai po kthehej nga pushimet në Korfuz dhe përmes Igumenicës do të kalonte për në Shqipëri.

Bego kishte ndërruar emrin në pasaporte në Mond Bega dhe me këtë emër kishte kaluar nga Shqipëria në Korfuz. Edmond Bego rezulton i kërkuar nga autoritetet italiane për pjesëmarrje ne organizate kriminale për trafik kokaine dhe heroine.

48-vjeçari njihet si miku i Aldo Bares dhe rezulton me disa emra të tjerë si Edmond Bego, Saimir Sina dhe Belul Gjahtari. Ai ka qenë për disa kohë edhe president i klubit të futbollit të Lushnjës.
Bego është dënuar nga drejtësia italiane për kryerjen e veprave penale të rënda, të “mbajtjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim më shumë se një herë”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb