TIRANE– Kryeredaktori i gazetës “Rilindja Demokratike”, Bledi Kasmi, i cili u lëndua gjatë protestës së opozitës me 26 maj, ka zhvilluar paraditen e sotme një seancë dëgjimore në Komisionin parlamentar të Medias.

Kasmi është thirrur vetëm nga anëtarët e djathtë të këtij komisioni për të dëshmuar në lidhje me dhunën e ushtruar nga Policia e Shtetit më 26 maj 2018.

Teksa është paraqitur para anëtarëve të Komisionit me shenjë në kokë, ai ka treguar si ka ndodhur ngjarja.

“Unë kam një karrierë të gjatë punës si gazetar, 24 vite. Kurrë nuk kam patur probleme me ligjin, dhe as me forcat e rendit. Ditën e protestës pati përplasje përpara Ministrisë së Brendshme. Unë isha duke bërë punën time. U godita me shkop hekuri në kokë”, tha Kasmi.

Sipas Kasmit, goditja e tij ishte e qëllimshme.

“Nuk di pse shkopi i hekurt me “përzgjodhi” mua. Në radhën e parë kishte edhe protestues të tjerë. Por nga videot e realizuara gjatë protestës, u pa se ajo ishte një skemë e qartë për të më goditur. Ai që më goditi erdhi nga radha e dytë e forcave të policisë. Pasi më goditi u tërhoq, dhe gardhi u mbyll prapë për ta mbuluar atë’.

Sakaq, ai ka treguar se gjatë protestës është goditur me shkop gome edhe një protestues tjetër.

“Para se të ndodhte incidenti një protestues është goditur me shkop gome në qafë e shpinë, dhe ka rënë pa ndjenja. Është dërguar me ambulancë në spital, dhe aty është përmendur”, tha Kasmi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb