Gjatë një interviste për revistën WHO, këngëtarja Jonida Maliqi ka folur ndër të tjera edhe për ndarjen pas 17 vitesh me bashkëshortin biznesmen me të cilin ka edhe një djalë të quajtur Dan. Jonida Maliqi rrëfen se ndarja ka qenë një nga periudhat më të vështira të jetës së saj, por kanë vendosur që të mos ishin bashkë, pavarësisht se ka bërë gjithçka për të shpëtuar martesën e saj.

Pjesë nga intervista:

E ke kaluar ti ndarjen tënde? Shumë njerëz e shikojnë të vështirë?
Pa dyshim, do tregohesha hipokrite në qoftë se do thoja jo. Ne e vendosëm që nuk do të ishim më bashkë. Kjo, ka qenë një ndër periudhat më të vështira të jetës sime. Është dashur shumë kohë që të dilnim në atë vendim. Ka qenë një luftë e brendshme që nuk e kam reflektuar jashtë, ndaj shumë njerëz janë çuditur në momentin që morën vesh lajmin, sepse unë vazhdova rutinën time. Kaloi vetëm në këtë mënyrë, duke menduar për vetveten, për Danin, për të mirën e familjes dhe për të mirën tonë si çift. Kishim mbërritur në një pikë që nuk mund të ishim të qetë pranë njëri-tjetrit, vetëm distanca do na bënte mirë, ashtu sikurse jemi sot në paqe. Koha shëron gjithçka. Me kalimin e saj çdo gjë shuhet, nuk harrohet, por ama nuk ke më emocionet e dikurshme dhe sa herë më pyesin, kjo është këshilla ime e vetme, efekti kohë.

A ke bërë përpjekje për ta shpëtuar martesën tënde?
Patjetër, mendoj se kam bërë përpjekjet maksimale brenda limiteve të mia. Jemi njohur shumë të rinj, e perceptojmë ndryshe kur rritemi. Kur jemi të vegjël dashurojmë, idealizojmë në një mënyrë tjetër. Kur rritesh gjërat i shikon në një këndvështrim ndryshe dhe është çështje përshtatjeje. Në një marrëdhënie njerëzore, jo vetëm në çift, përshtatshmëria është çelësi dhe komunikimi në mënyrë absolute.

A gjen ti gjëra për t’u bërë pishman në të shkuarën tënde?
Po, do ishte absurde mos ta pranoja. Jam bërë pishman për disa zgjedhje të miat, për disa reagime të miat. Mendoj që kur ti ke investuar kaq shumë në një marrëdhënie, bëhet e vështirë. Ndoshta, por veten nuk e fajësoj dhe aq shumë sepse e di që kam dhënë mish e shpirt, kam dashur fort dhe jam munduar t’i shkoj deri në fund, ama nuk bëj dot kompromis me jetën time, idealin, apo moralin.
jonida maliqi
jonida maliqi
Jonida Maliqi
180730
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: