SIRI- Bisedimet në mes të forcave qeveritare siriane dhe grupit militant, Shteti Islamik, për këmbimin e të burgosurve në jug të Sirisë, kanë dështuar, pasi ISIS ka dalë me kushte të reja, thanë dje aktivistët.

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, organizatë me bazë në Londër, tha se këto negociata kishin për qëllim që të arrihej një marrëveshje me IS-in, që grupi militantë të lironte pengjet civile, rreth 30 gra dhe fëmijë që u rrëmbyen javën e kaluar gjatë luftimeve në provincën jugore, Sweida.

Në këmbim të lirimit të pengjeve, Qeveria siriane ishte e gatshme që të lironte 150 luftëtarë të IS-it dhe të hapte një korridor që të mund të largoheshin militantët nga kjo zonë.

Aktivistët thonë se marrëveshja dështoi pasi ISIS kërkoi tërheqjen e plotë të trupave siriane nga Sweida.

Vëzhguesi Sirian tha se forcat qeveritare siriane, pas dështimit të arritjes së një marrëveshjeje, rinisën sulmet ajrore në zonat në afërsi të Lartësive Golan – territor i okupuar nga Izraeli – ku gjenden të rrethuar militantët e IS-it.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb