Nga Enver Doçi

Një urë në fshatin Rreth Bazë në Mat ka në dorën fatin e plot 12 fshatrave. Mbi 2 vite e shkatërruar, ajo është e pakalueshme nga banorët duke i izoluar totalisht. I vetmi apel i përsëritur i tyre është të rregullohet ura pasi kalimi më këmbë mes përmes lumit po shkatërron jetët e tyre.

Kjo është sakrifica që bën vogëlushja 13-vjeçare nga fshati Rrethe Bazë për të kaluar në anën tjetër të lumit ku ndodhet dyqani për të blerë ushqimet. Në mungesë të urës ajo është e detyruar të zbathë atletet dhe të ecë me frikë mes baltës. Kjo mënyra e vetme që vogëlushja të shkojë në destinacionin e saj, kalon mes përmes lumit, duke rrezikuar e kthimi mbetet sërish i njëjtë.

Mungesa e urës lidhëse ka izoluar plot 12 fshatra në Mat. Ura ka mbetur e tillë që prej nëntorit të 2016-tës kur fryrja e lumit e shkatërroi atë duke e nxjerrë jashtë funksioni. Fëmijë, të rritur, të moshuar e gjithkush në këto fshatra vuan pasojat e harresës.

Mungesa e urës izolon qindra banorë, i ndan njerëzit nga njeri-tjetri në të mirë e në të keq.

Dimri është i frikshëm për banorët e fshatit Rrethë Bazë. Kur niveli i ujit rritet nga reshjet e dendura banorët e kanë të pamundur të kalojnë në anën tjetër, ose në të kundërt rrezikojnë jetën e tyre duke u zvarritur nëpër ato ç’kanë mbetur në këtë urë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb