TIRANE- Këto janë brezi i dhjetë i studentëve të diplomuar në Universitetin Europian të Tiranës. Mes emocioneve, gëzimit dhe krenarisë të ndarë me familjarët ata kanë hedhur kapelet për mbylljen e një cikli dhe hapjen e një tjetri në jetën e tyre. Një arritje e madhe për një nga universitet më të mira private në Shqipëri. I lumtur dhe krenar për arritjet e universitetit dhe studentëve u shpreh dhe presidenti UET, Ardian Civici. Civici tha se UET ka bërë shumë por ka ende për të bërë për t’iu përgjigjur të gjitha sfidave të kohës.

“Kjo është ceremonia e 10 diplomimit në historinë e diplomimin në UET. Bashkë me diplomimet e sotme në Bachelor, Master dhe Doktoraturë, kemi diplomuar 9256 studentë. Është një shifër shumë impresionuese, por edhe përgjegjësi e madhe, pasi diplomimi juaj, cilësitë tuaja janë për ne pasqyra akademike, vlerësuese, se çfarë kemi bërë mirë dhe se çfarë duhet të bëjmë më mirë” tha Civici.

Për rektorin e Universitetit Europian të Tiranës, Tonin Gjura çelësi i suksesit të UET është përshtatja me ndryshimet që ofron koha. Për t’iu përshtatur këtyre ndryshimeve tha ai, do të hapim dhe dy fakultete të reja.

“Emocionet janë tuajat dhe të prindërve tuaj. Ndjesia është edhe e juaja dhe e jona. Krenaria është e jona, faleminderit shumë që na besuar. Shumë pak veta pyesin sesa e vështirë ka qenë që të rezistosh, por është ai që di ti përshtatesh ndryshimeve. Progresi i një shoqërie varet se si i përgjigjemi sfidave. UET i është përgjigjur sfidave. UET po u përgjigjet sfidave madje me sukses, pasi do zgjerohemi me dy fakultete të reja dhe me disa programe të reja studimi, me Inxhinieri Arkitekturë, me Mjekësi dhe Shëndet Publik, në Arte Liberale dhe sport”, tha Gjura.

Pjesë e festës së UET u bë dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Ai kërkoi nga të diplomuarit që të luftojnë fort për atë çfarë duan por duke qenë vetvetja. “Ky moment përbën një pikë kulmore për çdo njeri në jetën e tij. Përfitoj nga rasti t’ju bëj thirrje që të nisni këtë rrugëtim të gjatë me kurajo dhe këmbëngulje. Kudo që të ndërtoni karrierën tuaj, përpiquni të jeni vetvetja”, tha Sejko. Vetë ata, të diplomuarit në ditën më të bukur dhe më të rëndësishme u shprehën të lumtur dhe të emocionuar. Kurorëzimi i ëndrrës së tyre duke kaluar nga UET e bën arritjen e tyre më të bukur.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb