FIER- “BalkanWeb” zbardh të tjerë detaje nga vdekja e 17-vjeçares sot në ambientet e shkollës në Fier. Nga të dhënat paraprake dyshohet se Ana Rina, nga fshati Sheqishte, ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale. Adoleshentja, e cila vazhdonte kursin për Dizajn në shkollën e mesme profesionale “Murialdo”, u gjet sot pa ndjenja në tualet.

Kanë qenë pikërisht dy shoqet e saj ato që e kishin shoqëruar Anën në tualet, pas pohimit të kësaj të fundit se nuk ndihej mirë. Gjatë kohës që ato e prisnin jashtë tualetit, dëgjuan një zhurmë, ndërsa të shqetësuara u futën brenda dhe panë shoqen e tyre përtokë. Fill pas kësaj ato lajmëruan mësuesit. Pavarësisht përpjekjeve të stafit të shkollës, 17-vjeçarja kishte ndërruar jetë.

Po ashtu, “BalkanWeb” ka mësuar se vajza nuk ishte ndjerë mirë pak ditë më parë dhe nëna e saj kishte ardhur ta merrte nga mësimi, për ta dërguar në spital. 17-vjeçarja ankohej për këputje trupi, por mjeku i kishte thënë se nuk ishte asgjë shqetësuese, por një virozë e stinës. Pas vizitës, vajza iku në shtëpinë e saj, bashkë me nënë.

NJOFTIMI I POLICISE
Më datë 06.03.2017, ora 14:40, njoftohemi se në Spitalin Rajonal Fier ka shkuar e vdekur nxënësja A.R, 17 vjeç, nxënëse e shkollës profesionale “Murialdo”. Nga hetimi paraprak i ngjarjes rezulton se nxënësja A.R ka shkuar në tualetin e shkollës dhe nuk ka dalë prej andej për një kohë të gjatë.

Më pas kanë shkuar për kontroll personeli i shkollës dhe disa nga shokët e klasës dhe rreth orës 14:25 e kanë gjetur nxënësen të shtrirë në dyshemenë e tualetit, kanë lajmëruar ambulancën dhe e kanë nisur për në spital. Nga këqyrja nuk janë konstatuar shenja dhune në trup. Paraprakisht dyshohet për helmim ose problem shëndetësor. Po bëhet këqyrja nga mjeku ligjor për të dalë në konkluzionin e shkakut të vdekjes. Hetimet vazhdojnë për sqarimin e rrethanave.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: