Tirana përzgjidhet si një ndër qytetet që ka bërë më shumë progres në menaxhimin e qytetit dhe ujit të pijshëm. Vlerësimi u bë në Samitin Botëror të Qyteteve 2018, si dhe në Samitin Vjetor të Ujit, që u mbajt në Singapor.

“E morëm ujësjellësin si ndërmarrje e falimentuar para 3 vitesh, ndërsa sot jo vetëm ka larë borxhet, por po bëhet gati për investime, falë kredisë së BERZH-it, për të dyfishuar kapacitetin filtrues të Bovillës dhe për të ndërtuar një rrjet të ri që shkon nga Bovilla në zonën e Astirit dhe Tiranës së Re. Më vjen mirë gjithashtu që, Tirana është sot lider në Shqipëri: 98.5 % e faturës së ujësjellësit paguhet”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Krybashkiaku Veliaj i është përgjigjur edhe ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili më herët deklaroi se kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës do ta rishikojë projektin e sheshit “Skënderbej”, duke paralajmëruar kështu prishjen e këtij sheshi.

“Ndihem i keqardhur kur shikoj liderë të së kaluarës në Shqipëri, të cilët betohen se do prishin punët publike që janë bërë në Tiranë, si Sheshi “Skënderbej”, apo se nuk do të lejojnë të bëhen punë të tjera publike si Teatri i ri. Sot Tirana ka këtë reputacion falë guximit që pati në vitet 2000-2011 dhe falë guximit të 3 viteve të fundit. Pra, kur Tirana ka pasur një kryetar bashkie dhe një qeveri që e kanë mbështetur, që kanë marrë vendime të guximshme, ka pasur një reputacion botëror edhe përtej Shqipërisë, si një vend inovator që po transformohet në mënyrë galopante”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku premtoi se në mandatin e ri do t’i kushtohet vëmendje investimeve në zonat rurale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb