TIRANE – Tirana ka tashmë një tjetër pikë tërheqëse, jo vetëm për vizitorët, por edhe një hapësirë që shërben si ambient takimesh apo aktivitetesh të ndryshme kulturore dhe sociale. Bashkia e Tiranës ka përuruar sot veprën “Reja”, e projektuar nga arkitekti japonez me famë botërore, fitues i shumë çmimeve, Sou Fujimoto, e cila është vendosur në lulishten para Galerisë Kombëtare të Arteve.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishte kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, autori i veprës, arktitekti Sou Fujimoto, Presidentja e Fondacionit “LUMA”, Maja Hoffmann, njerëz të artit, gazetarë, sponsorë e mbështetës.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj shprehu kënaqësinë që një instalacion kaq i njohur vjen në Tiranë, jo vetëm si vepër arti, por edhe si hapësira më e re kulturore në kryeqytet. “Në një vend të tejmbushur me cinizëm, me skepticizëm, me njerëz që thonë vetëm se gjërat s’bëhen, për ata që e kanë mbështetur këtë projekt që nga fillimi, do të thotë shumë. Faleminderit që ju këtu jeni besimtarët e parë që ne mund të kemi një copë Evropë dhe disa vlera të rëndësishme në Tiranë dhe besoj pavijoni i Fujumoto-s i solli”, tha kryetari Veliaj. Më tej, ai u shpreh se “Reja”, ashtu si edhe çdo gjë tjetër e bukur dhe estetike të imponon tjetër sjellje, ndërkohë që i jep Tiranës një tjetër mundësi ku qytetarët mund të takohen.

Gjithashtu, Veliaj theksoi faktin se ende pa u përuruar kjo vepër ka pasur një interes shumë të madh si nga individë të ndryshëm, ashtu edhe nga organizata apo institucione që kërkojnë ta përdorin këtë hapësirë për një takim apo ngjarje të tyren. “Reja.al, është adresa ku secili mund të rezervojë eventin e vet. Në fakt, deri tani kemi 82 aktivitete të planifikuara deri në fund të vitit”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Ai sqaroi se nuk ka vend për dyshime, pasi “Reja” vjen dhe do të qëndrojë në Tiranë për rreth 3 vjet pa asnjë kosto për qytetarët e saj. “Projekti është falas, qyteti nuk ka paguar asnjë qindarkë, asnjë taksë nuk është përdorur për këtë projekt. Më vjen mirë që është mundësuar e gjithë kjo vepër, pa asnjë kosto për qytetin falë bashkëpunimit të disa njerëzve”, shtoi kryebashkiaku, Veliaj.

Pavijoni i Galerisë Serpentine 2013, projektuar nga Sou Fujimoto, ka një sipërfaqe prej 350 metrash katrorë dhe hapësirë të brendshme prej 142 metrash katrorë, ku struktura dhe cilësia delikate e pavijonit, shumëfishuar nga gjysmë-transparenca krijon një formë gjeometrike, të ngjashme me një re.

Fillimisht, i konceptuar si një projekt artistik i përkohshëm, për pavijonin e Galerisë “Serpentine” në Londër 2013, pavijoni i Fujimotos do të qëndrojë në Tiranë për një periudhë trevjeçare dhe do të shërbejë si një hapësirë eventesh, me një program të pasur kulturor, krijuar në partneritet me organizata të ndryshme lokale, rajonale dhe ndërkombëtare kulturore e arkitekturore, por gjithashtu edhe me individë të ndryshëm.

“Reja” është projektuar si një hapësirë sociale elastike, e destinuar për përmbushjen e qëllimeve të ndryshme. Vizitorët do të nxiten të hyjnë dhe të ndërveprojnë në mënyra të ndryshme përgjatë gjithë kohës së qëndrimit të pavijonit.“Reja”do të kthehet në një aset të rëndësishëm kulturor të qytetit të Tiranës, nën mbikëqyrjen dhe administrimin e Bashkisë së Tiranës.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: