Nga: Arsejda Gjyli

Referuar konkluzioneve të Këshillit mbi Zgjerimin, Stabilizimin dhe Procesin e Asociimit, të datës 26 Qershor 2018, në njëfarë mënyre afirmohet se ka patur një progres të bërë nga Shqipëria në kuadër të plotësimit të kushteve të vendosura për integrimin evropian, por rruga për hapjen e negociatave duhet të kalojë fillimisht në disa zhvillime të cilat e shtyjnë këtë proces pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian. Vendimi zyrtar për të hapur negociatat do të bazohet në një vlerësim të Komisionit i cili në fund të vitit 2019 do të shqyrtohet në konferencën ndërqeveritare, ku do të duhet të shprehen unanimisht vendet anëtare.

Padyshim që ky rezultat ishte deri diku i pritshëm referuar qëndrimit të shteteve skeptike dhe pamundësisë së arritjes së një bindje të mundshme për qëndrimet, kryesisht të Holandës dhe Francës, për mos hapjen e negociatave. Nëse do i referohem takimeve të fundit me kryenegociatorët për integrimin dhe shkëmbimit të eksperiencave në kuadër të procesit “screening”, i cili vjen fill’ pas hapjes së negociatave, u vu re se fillimi i takimeve parapërgatitore ishte i vonuar dhe kjo jo pa shkak. Deri diku premisat mbi fillimin e një negocimi të mundshëm përpara zgjedhjeve parlamentare brenda vetë BE, ishin të vakëta.

Një ndër arsyet kryesore për mosbesimin mbi hapjen e negociatave në Qershorin e këtij viti, u identifikua vështirësia e ndërlidhjeve të hallkave bashkëpunuese në zhvillimet e procesit të integrimit. Si rezultat, nga skanimi i situatës përmes analizës krahasimore, me shembujt e shteteve si Serbia, Kroacia dhe Mali i zi, procesi i hapjes së negociatave është tejet i vështirë në momentin që nuk posedohen dy elementë: Së pari, mundësia e integrimit të njësive antikorrupsion, e cila ishte pjesë edhe e rekomandimeve të datës 26 Qershor të Këshillit e po ashtu efektiviteti i luftës ndaj korrupsionit dhe procesit zgjedhor dhe së dyti, reformimi administrativ dhe mundësitë reale të efiçencës institucionale përmes hapësirave për integrimin e instancave të reja ekspertize të huaj mbi procesin e “screening” për kapitujt negociues. Përveç këtyre çështjeve primare mund t’i referohemi po ashtu rekomandimeve mbi mbajtjen nën kontroll të numrit të azil kërkuesve, respektimin e të drejtave të njeriut si prioriteti i pestë në Udhërrëfyesin për Integrimin Evropian.

Siç e shohim, hapja e negociatave më shumë sesa e lidhur me skepticizmin e vendeve anëtare të unionit, si “enlagment fatigue”, rasti i Francës, është e lidhur me prirjen e përgjithshme të skepticizmit ndaj vendeve të Ballkanit perëndimorë nga ku, mos-hapja e negociatave nuk vjen nga neglizhena për zhvillimin e rajonit, por nga rreziku potencial që përbëjnë këto vende si pasojë e problemeve me demokracinë e brendshme dhe mungesën e konsolidimit të shtetit ligjorë.

Kësisoj, me gjithë përpjekjen lotuese për integrimin e vendeve të Ballkanit perëndimorë, me qëllim dhënien e një mundësie këtyre shteteve për një dimension të ri zhvillimi, nuk arritën të bindeshin vendet anëtare, të cilët për arsye historike, gjeopolitike apo edhe reale përpiqen të ruajnë të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe konturet e tij.

Cili është dimensioni që duhet të marrin zhvillimet, deri në vlerësimin e radhës për hapjen e negociatave?

Heqja dorë nga indulgjencat; faktin, se indulgjencat e Luterit kanë kohë që nuk i falin më mëkatet, unioni i bashkuar e ka të qartë. Ka ardhur një moment deçiziv ku duhet të funksionojnë outpute-t, rezultatet e materializuara. Shtyrja e procesit të negocimit është mundësia reale për të kuptuar se integrimi në unionin evropian më shumë sesa një dhuratë është një proces kombëtar, i cili ka të bëjë me unifikimin politik, institucional, ligjorë dhe social për rezultate të materializuara në gjithë iniciativat reformatore apo prioritetet e lëna nga BE.

Dalja nga tradicionalizmi; Përtej qasjeve tradicionale si, euroskepticizmi dhe eurofilia, procesi i integrimit është një proces emancipues. Për shtete të cilat kanë kaluar një periudhë të gjatë tranzicioni, proceset reformuese, krijimi i shtetit të së drejtës dhe konsolidimi i demokracisë së brendshme, nuk ka ardhur si pasojë thjesht e punës brendashtetërore. Nëse do t’i referohemi rastit të Malit të Zi, paranegocimi ka bërë të mundur avancimin në kuadrin e përafrimit të legjislacionit, aplikimin e reformave shtetërore dhe konsolidimin e demokracisë, përmes sundimit të ligjit.

Reformimi i bazuar në rezultate; Shqipëria ka arritur aktualisht një lloj zhvillimi në kuadër të përafrimit të legjislacionit, plotësimit të prioriteteve të vendosura në Udhërrëfyesin për Integrimin Evropian dhe po ashtu të inicimit të reformave. Ajo çfarë duhet të çohet përpara është ngritja e njësive të monitorimit të procesit për implementimin e reformave dhe rivlerësimin e outputeve, ku theksojmë ngritjen e njësive antikorrupsion. Bonsensi për një arritje reale të kuadrit reformues lidhet drejtpërdrejt me bashkëpunimin dhe tejkalimin e hendeqeve të panevojshme institucionale dhe politike, gjë e cila duhet të monitorohet nga instancat adekuate. Rifokusim të menjëhershëm, jo vetëm tek reforma në gjyqësorë por edhe tek pajisja me burimet njerëzore adekuate dhe njësitë e monitorimit administrativ, fushatat e sensibilizimit, informimit publik dhe dëgjesave publike, mbi rëndësinë e sigurimit të të drejtës tjetrit për të jetuar me dinjitet dhe barazi. Mosmiratimi i hapjes së negociatave nuk është një moment për vakje të mëtejshme të situatës por marrjen seriozisht të dimensionit që duhet të marrin reformat.

Së fundmi, për mos e profetizuar, hapja e negociatave në vetvete është e domosdoshme për konsolidimin e demokracisë së brendshme, për vendet e Ballkanit perëndimorë. Hapja e negociatave më shumë sesa “utopi” është mundësi e një kombi të tërë për dinjitet dhe të drejta. Vonesa e hapjes së negociatave nuk është triumfi i qëndrimeve të Francës, Holandës, Danimarkës apo i profetëve analistë, por është shtyrje e një procesi jetik për shoqërinë tonë. Fundit i vitit 2019 nuk është afati i garantuar i hapjes së negociatave, garancia e vetme janë rrjedhojat dhe zhvillimet që do marri procesi integrues.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: