Turqia i kërkoi ambasadorit të Izraelit të largohej përkohësisht nga vendi, në shenjë proteste ndaj civilëve palestinezë të vrarë në Izrael. Ndërsa, në aeroportin e Stambollit ambasadorin Eitan Na’eh e priste një përcjellje aspak e këndshme.

Përveç kontrollit të rreptë, ai është detyruar të heqë edhe këpucët, ndërsa duket se autoritetet turke kishin ftuar edhe mediat në pikëkalimin ku do të kalonte ambasadori.

Momenti është kapur nga kamerat, ndërsa veprimi ka nxitur reagimin e ashpër të shtetit Izraelit. Ministria e jashtme e Izraelit në një deklaratë tha se ka reaguar ashpër ndaj këtij veprimi duke shtuar se “Izraeli nuk do të tolerojë trajtim të këtillë të diplomatëve të tij”.

Si kundërpërgjigje ndaj këtij veprimi të turqve, edhe Izraeli i lajmëroi mediat për të përcjellë largimin e ambasadorit turk Umut Deniz, i cili iu nënshtrua kontrolleve të rrepta, e po ashtu u detyrua të kalonte nëpër skanerin e trupit.

E gjithë situata u krijua pasi trupat izraelite vranë 60 persona dhe plagosën qindra të tjerë, në protestën që palestinezët organizuan pranë Jerusalemit,  të hënën kur ambasada amerikane u hap në këtë qytet. Turqia fajësoi Izraelin dhe SHBA për këto vrasje.
(i.ç/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb