TIRANE – Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ishte i pranishëm në një aktivitet të zhvilluar në kryeministri me policinë e shtetit.

Në takimin ku mori pjesë dhe kreu i qeverisë, Edi Rama, ministri Xhafaj u shpreh se si asnjë herë tjetër më parë, policia ka zbardhur të gjitha ngjarjet e fundit kriminale duke vënë pas hekurave edhe autorët.

Ai tha se reforma në drejtësi e iniciuar nga mazhoranca po jep frytet e para dhe se policia e shtetit është në fazën e Vettingut.

Ai përmendi edhe rastin e vrasjes nga policia drejt të riut hajdut që qëlloi drejt policisë duke thënë se koha kur kriminelët conin dorë mbi policët dhe nuk u hynte gjëmbë në këmbë ka përfunduar.

“Shtuam numrin e policëve në terren, nxorrëm burokracitë nga zyrat dhe po zbatojmë ligjin në shërbim të qytetarit. Policia si asnjëherë më parë ka zbardhur të gjitha ngjarjet e fundit kriminale por dhe ka kapur autorët e tyre. Theksojmë se të gjitha reformat janë bërë me vendosmëri në misionin për të goditur korrupsionin dhe krimin e organizuar. Kam vlerësim maksimal për drejtuesit e lartë të policisë. Reforma në drejtësi që kjo mazhorancë inicioi po jep frytet e para. Jemi në fazën e Vettingut në polici.

Më lejoni të shfaq vlerësimin maksimal për ndërhyrjen e menjëhershme të policisë që ishte duke vigjiluar dhë ndërhynë në një orar krejt të pazakontë.

Kjo të bëhet mësim për këdo që mendon të ngrejë dorë mbi punonjësit e policisë së shtetit.

Çdo kriminel që e përfytyron këtë pa disikuim do duhet të përballet në zbatim të ligjit me reagimin flakë për flakë.

Koha kur kriminelët conin dorë mbi policët dhe nuk u hynte gjëmbë në këmbë ka përfunduar,”tha Xhafaj.

Fjala e plote

I nderuar zoti Kryeministër, Të nderuar drejtues e punonjës të Policisë së Shtetit, Jemi sot këtu, me iniciativën personale të Kryeministrit të vendit, për të nderuar një skuadër të Policisë së Shtetit për aktin e tyre shumë kurajoz dhe profesional, të kryer në shërbim të mbrojtjes së jetës dhe pasurisë së qytetarëve, nga veprimtaria e një grupi kriminal të rrezikshëm për jetën dhe pasurinë e qytetarëve. Akte të respektuara këto të cilat i ndeshim përherë e më shumë në veprimtarinë plot angazhim e sakrifica të punonjësve të Policisë së Shtetit anembanë vendit. Edhe pse jeta e këtyre punonjësve të policisë u vu në rrezik real nga sulmi i armatosur, i menjëhershëm dhe i papritur i grupit kriminal, ata nuk hezituan të përmbushnin detyrën që kushtetuta dhe ligji iu ka ngarkuar. Në këtë mënyrë ata justifikuan besimin që qytetarët e Fierit, por edhe të gjithë Shqipërisë kanë sot tek punonjësi i Policisë së Shtetit. Natyrisht askush nuk është i lumtur kur humbet një jetë, qoftë kjo edhe e një personi të përfshirë në krim, por nga ana tjetër ne nuk mundemi të jemi aspak të druajtur që Policia e Shtetit t’i përgjigjet në mënyrën e merituar kujtdo që jo vetëm kryen veprimtari kriminale, por më shumë akoma sulmon me armë punonjësit e Policisë së Shtetit. Punonjësit e Policisë që po nderojmë sot kanë zbatuar me përpikëri detyrat funksionale në ngjarjen e ndodhur ku u dhunuan 2 qytetarë, prindër të respektuar, brenda në shtëpinë e tyre, pas mesit të natës, nga një bandë e rrezikshme grabitësish. Si Ministër i Brendshëm, përfitoj nga rasti për të shfaqur vlerësimin maksimal për ndërhyrjen e menjëhershme dhe efikase të kësaj skuadre policie, e cila ishte duke vigjëluar në mbrojtje të ligjit e sigurisë publike, edhe në një orar krejt të pazakontë, në mesnatë. Kjo ngjarje e rrezikshme le të bëhet mësim për këdo që mund të guxojë të drejtojë armën kundër punonjësit të Policisë së Shtetit. Çdo kriminel që e përfytyron një gjë të tillë, pa asnjë diskutim do të duhet të përballet, në zbatim të ligjit, me reagimin flakë për flakë të oficerëve profesionistë të policisë. Koha kur kriminelët që çonin dorë kundër policëve dhe s’u hynte gjemb në këmbë, ka perfunduar. Ne duam një polici të ndershme dhe profesionale e aftë të mbrojë edhe veten kur ajo kërcënohet nga krimi. Kështu, kjo polici jep e transmeton besimin e duhur edhe tek qytetari i thjeshtë. Një polici kurajoze, e përgatitur profesionalisht dhe e gatshme për të reaguar edhe në situata aspak normale siç ishte edhe kjo ngjarje, ku patrulla e policisë u përball me një zjarr të dendur nga disa kriminelë të pamëshirshëm. Ne jemi të ndërgjegjshëm për sakrificat e përhershme me të cilat ndeshet punonjësi i policisë. Edhe ai ka familje, të afërm, ka nevoja, por për të shpeshherë nuk ka ditë pushimi, as festë, dhe me një pagesë modeste krahasuar me sakrificat që ata bëjnë. Prandaj nderimi dhe respekti për punonjësit e policisë është i padiskutueshëm dhe vëmendja për ta nga ana e qeverisë është e përhershme. Me këtë rast, dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj sakrificat sublime të të gjithë atyre punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët kanë rënë në krye të detyrës, në 27 vitet e fundit. Nderim dhe respekt për ta! Ne kemi kënaqësinë e ligjshme sot të themi se filozofia e drejtimit të Policisë së Shtetit ka ndryshuar për mirë në raport me atë që gjetëm 5 vite më parë, me vëmendje të posaçme punonjësit e rolit bazë. Me mbështetjen e plotë të Qeverisë dhe personalisht të Kryeministrit, po punojmë që Policia e Shtetit të transformohet shumë shpejt në një organizatë ku anëtarët e saj karakterizohen nga ndershmëria, integriteti dhe natyrisht edhe profesionalizmi. Rritëm pagat e tyre si kurrë më parë; ri-hapëm Akademinë e Sigurisë, po hyjmë në fazën e zbatimit të procesit të Vettingut; shtuam numrin e policëve në terren dhe i nxorëm nga burokracitë e zyrat, po vendosim llogari dhënien të qytetari si element kyç në karrierën e drejtuesve të policisë dhe po zbatojmë praktikën e policimit në Komunitet, me moton “Në zbatim të ligjit, në shërbim të qytetarit”. Policia e Shtetit ka pasur rezultate spektakolare kohët e fundit në luftën kundër krimit të organizuar dhe veçanërisht trafikut të drogës. Gjatë vitit 2017, puna e përkushtuar e punonjësve të Policisë së Shtetit arriti që ta heqë Shqipërinë nga harta e vendeve kultivuese të kanabisit. Ne duam që ai sukses të jetë i qëndrueshëm dhe ky vit të shënojë shkëputjen përfundimtare nga ai fenomen kriminal e me pasoja të gjata për shoqërinë shqiptare. Veç sukseseve në luftën kundër kultivimit dhe trafikut të drogës, vlen të evidentohet fakti se ndoshta si asnjëherë më parë policia jo vetëm ka zbardhur të gjitha ngjarjet e fundit kriminale, por edhe ka arritur të kap autorët e tyre. Ky fakt është ndër të tjera edhe tregues i shkëputjes së Policisë së Shtetit nga raportet me krimin, raporte që komprometonin suksesin e luftës së punonjësit të ndershëm të Policisë së Shtetit me krimin. Theksojmë se të gjitha reformat e ndërmarra janë bërë në konsultim të ngushtë me misionet e asistencës së huaj pranë Policisë së Shtetit dhe njëkohësisht kemi marrë një mbështetje të gjerë nga vendet partnere në projektin tonë për t’i dhënë një goditje të fortë krimit të organizuar dhe korrupsionit, që është një proces që kërkon kohën e vet të realizohet. Dje u ktheva u kthyem nga një vizitë nga SHBA, ku së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe drejtues të tjerë të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë, zhvilluam disa takime të ngjeshura pune në Departamentin e Shtetit, në Departamentin e Drejtësisë, me zyrtarë të DEA-s, të FBI-së ku vendosëm piketat për një bashkëpunim më të ngushtë dhe rezultativ edhe në të ardhmen. Vlerësimi maksimal që drejtuesit e lartë të këtyre institucioneve i bënë rezultateteve që është duke dëshmuar Policia e Shtetit si dhe vullneti i plotë që ata treguan për të na mbështetur fuqishëm në rrugën e bashkëpunimit që kemi nisur, janë një inkurajim i fortë për ne. Reforma në drejtësi, që kjo mazhorancë inicioi po jep frytet e para. Përtej dyshimit të mosbesuesve e kritikëve, për fatin e keq të atyre që u përpoqën me të gjitha mënyrat ta bllokonin atë dhe për të mirën e gjithë qytetarëve të Shqipërisë, reforma në drejtësi po fillon të funksionojë. Pa një sistem drejtësie të pavarur, efiçent dhe profesional nuk mund të kemi suksesin e duhur në luftë kundër krimit dhe krimit të organizuar në veçanti. Ne garantojmë se Policia e Shtetit do të jetë në vijën e parë të frontit, siç e parashikon ligji, e së bashkë me Prokurorinë dhe agjencitë e tjera ligj zbatuese, me të cilat ka nisur një erë e re bashkëpunimi, do të godasë me Forcën e Ligjit paligjshmërinë dhe do t’i shpejtojë rrugën vendit për të fituar kohën e humbur duke e afruar më afër me familjen evropiane.

 (BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb