Sot në orën 18:00 do të nisë zyrtarisht “Seria A” me ndeshjen Chievo-Juventus ku pritet edhe debutimi i Cristiano Ronaldo në Itali. Por në një konferencë për shtyp, trajneri i Torinos, Walter Mazzarri, ka dalë kundër federatës duke deklaruar se nisja e kampionatit duhej shtyrë.

Ish-trajneri i Interit e dha këtë deklaratë duke patur parasysh tragjedinë e ndodhur në qytetin e Genoa ku për shkak të shembjes së urës Morandi humbën jetën 41 persona, ndërsa 10 mbetën të plagosur.

Në fakt dy ditë më parë u fol në media se java e parë do të shtyhej, por federata italiane mori vendimin që vetëm 2 nga 10 ndeshjet të mos luheshin. Bëhej fjalë për dy skuadrat e qyetit ku ndodhi tragjedia, Genoa dhe Sampdoria, që respektivisht përballeshin me Milanin dhe Fiorentinën.

Fjalët e Mazzarri-t në konferencë për shtyp para ndeshjes kundër Romës: “Tragjedia e Genoa-s na ka prekur të gjithëve dhe është një ngjarje që shkon përtej futbollit. Federata Italiane duhej të shtynte të gjitha ndeshjet në respekt të kësaj tragjedie, por ata menduan të kundërtën kështu që ne nuk kemi se çfarë bëjmë, përveçse të nisim rrugëtimin në kampionat.”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb