TIRANE- Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj teksa shfaqej tejet i prekur nga akuzat që kanë rënduar ndaj tij dhe vëllait, Agron Xhafaj, solli në vëmendje vuajtët që i kanë shkaktuar familjarëve të tij këto lajme.

Xhafaj tha se vendimin që mori sot vëllai i tij për t’u dorëzuar tek autoritetet italiane, ishte tërësisht zgjedhje e Agron Xhafajt. Mes të tjerash ai pohoi se sulmet e këtyre ditëve kanë qenë shumë të vështira për nënën dhe familjen e tij.

“Si një vëlla i përgjegjshëm unë kam bërë gjithë çfarë kam patur në dorë, që im vëlla të kthehej në personin që është i denjë për vlerat e familjes tonë. Vlera për të cilat, unë jam krenar dhe më kanë ndriçuar mua në rrugën time të jetës dhe atë të politikanit. Dhe im vëlla shumë shpejt ju rikthye normalitetit. Mbaroi arsimin e lartë, krijoi familje dhe ndërtoi jetën e vetë bazuar në mund dhe djersën e tij. Ai as kërkoi, dhe asnjëherë vëllai i tij, politikani Fatmir Xhafaj, nuk i krijoi favore, apo privilegje në shkelje të ligjit. Asnjë! Sot unë dhe gjithë familja ime jemi të goditur shumë fort shpirtërisht. Dhe vuajtja shpirtërisht peshon më shumë për faktin se dënimin po shkon ta vuajë një Agron që nuk ka asnjë lloj lidhje me Agronin e 16 viteve të shkuara. Ne do të gjejmë forcë dhe kurajo për ta përballuar këtë situatë të pazakontë familjare, për tja bërë sa më të lehtë e sa më të përballueshme nënës, bashkëshortes dhe sidomos dy fëmijëve të tij në moshë të vogël, përkatësisht 15 dhe 11 vjec. Faleminderit të gjithë familjarëve dhe miqve tanë të shumë që ju janë gjendur atyre pranë në këto momente të vështira! Është momenti për të nënvizuar edhe një fakt tjetër ligjor në këtë cështje. Për ligjin shqiptar në fuqi, ndjekja penale dhe dënimi penal që duhet ekzekutuar në rastin e vëllait tim është parashkruar. Rrjedhimisht, në Shqipëri për asnjë shkak dhe për asnjë rrethanë ligjore, Agron Xhafaj nuk do të bënte asnjë ditë burg. Pra, e thënë më shkurt, për ata që nuk e njohin të vërtetën ligjore. Nëse im vëlla do të bënte njohjen e vendimit të tij këtu dhe do të priste ekzekutimin e tij për dënimin në ngarkim të tij, sipas ligjit shqiptar, ai nuk do ta vuante fare atë, pasi periudha prej 4 vjetësh e mbetur për ekzekutim është në afatin 5 vjeçar të parashikuar nga ligji shqiptar. Një precedent ky i zbatuar normalisht në praktikën gjyqësore në Shqipëri.

Unë si vëllai i tij nuk e nxita as atëherë si vëlla dhe as sot që të jem i ndershëm që ai ta kryente këtë akt. Ishte zgjidhja e tij dhe e respektoj dhe e vlerësoj shumë gjestin e tij. Ai nuk ma dha mundësinë që të provoja Fatmir Xhafën si Ministër i Brendshëm kur të kërkohej që ky vendim të ekzekutohej, nëse ndonjëherë do të kërkohej ekzekutimi i këtij dënimi. Kjo do të ishte prova e moralit për mua si ministër.
Dhe në këtë kontekst, a është dikush, që mundet të më tregojë mua dhe qytetarëve:
a.cilin ligj kam shkelur, sot si Ministër i Brendshëm, dhe çdo herë tjetër që kam qenë në funksione publike ?

b.çfarë unë nuk kam bërë fare, apo çfarë edhe nuk e kam bërë mirë në detyrën time si Ministër i Brendshëm?

c.a kanë më shumë besim sot qytetarët se ka rend dhe siguri ? etj, etj.

Por kasta e politikës së baltës, nuk di të bëj gjë tjetër veçse të merret me çfarë bënë vëllai, motra, nëna, babai, bashkëshortja, fëmijët.
Dëshiroj tju them miqve të shumtë të mi që më kanë shkruajtur këto ditë me shumë dashamirësi. Miqtë e mi, mos prisni të merrem me bashkëshortet, djalin,vajzën, motrat, vëllezërit, baxhanakun dhe kunatin e disa prej këtyre të pacipëve që më kanë sulmuar mua gjithë këto ditë, paçka se ka shumë për të thënë dhe bërë ndaj tyre, në këtë aspekt. Do ju zhgënjej për këtë. Nuk mund ta bëj. Nuk e kam bërë në asnjë ditë që jam në politikë dhe as kam ndër mend ta bëj ! Nga familja ime gjithmonë kam një porosi, që edhe pse nuk janë ata të parët që e kanë thënë, por të parët që në fëmijëri mua ata ma kanë thënë: Mos i bëj tjetrit, atë që nuk do dëshiroje të ta bënin ty! E di shumë mirë që, kjo ka vlerë për njerëzit normal të kësaj bote, për njerëzit që kanë cipë dhe përgjegjshmëri kur flasin ! ”, tha Xhafaj.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: