GJERMANI- Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj u prit sot në Berlin, në një takim të veçantë nga homologu i  tij, Ministri i Brendshëm Federal i Gjermanisë, Horst Seehofer, njeriu më i rëndësishëm pas kancelares Angela Merkel ku ka marrë edhe “OK” për hapjen e negociatave.

Takimit të delegacioneve përkatëse, i parapriu një bisedë miqësore dhe konstruktive kokë më kokë e të dy ministrave, deklaron Ministria e Brendshme.

Seehofer, në cilësinë e Ministrit të Brendshëm Federal, por edhe si President i Partisë CSU, deklaroi se “i ka dhënë dritën jeshile Kancelares Federale dhe Ministrisë së Jashtme për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE”.

Xhafaj i prezantoi homologut të tij, një plan me 10 pika, i cili parashikon fushat e bashkëpunimit në nivel institucional dhe operacional.

Sipas Ministrisë së Brendshme, të dy ministrat ndanë të njëjtin mendim se implementimi i këtij plani do të ndikojë në konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve tona.

Në njoftimin për aktivitetin thuhet se ministri Seehofer e priti me shumë kënaqësi dhe entuziazëm këtë propozim dhe garantoi se “shumë shpejt do të njiheni me veprimet tona konkrete në lidhje me këto çështje”.

Xhafaj Gjermani ok (2)

Në vijim, në funksion të thellimit të bashkëpunimit, Ministri Xhafaj u shpreh se “tashmë mes nesh ekziston besimi i duhur, ndaj i kërkojmë Gjermanisë të monitorojë dhe të mbështesë realizimin e objektivave dhe prioriteteve të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit”.

Në referim të mbështetjes së vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Shqipërisë, Ministri Xhafaj evokoi veprimtarinë e ish-kryeministrit të Bavarisë, Franz Josef Strauss i cili, rreth 35 vjet më parë bëri përpjekje për t’i hapur Shqipërisë një dritare drejt Evropës.

“Sot, me progresin e gjithanshëm, është momenti i duhur që Gjermania të jetë në pararojë të shteteve që mbështesin Shqipërinë në rrugëtimin e saj për t´ju bashkuar familjes evropiane”, u shpreh Ministri Xhafaj.

Gjatë takimit, të dy ministrat diskutuan mbi çështjet aktuale si: migracioni i paligjshëm, çështjet e menaxhimit dhe kontrollit të kufirit, si dhe atë të azilkërkuesve shqiptarë në Evropë.

Sipas njoftimit zyrtar, Ministri Xhafaj njohu Ministrin Seehofer me arritjet dhe progresin që ka bërë Shqipëria në rrugën e integrimit evropian, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Në këtë kontekst, Ministri Xhafaj evidentoi bashkëpunimin e shkëlqyer me Gjermaninë dhe veçanërisht me autoritet policore gjermane, i cili ka rezultuar në hetime dhe operacione  të përbashkëta të suksesshme, si dhe me një numër operacionesh të përbashkëta që janë në proces.

Më tej Xhafaj u ndal te problematikat që lidhen me luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.

“Ministri Seehofer shprehu, veç të tjerash, interes në lidhje me reformën në drejtësi dhe procesin e Vetting-ut në Polici, duke përgëzuar për hapat që po hidhen në këtë drejtim, gjë që do të çojë në konsolidimin e sistemit të drejtësisë në vendin tonë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Në mbyllje të takimit Ministri Xhafaj e ftoi homologun Seehofer për një vizitë zyrtare në Tirane, ftesë që u prit me shumë kënaqësi nga ky i fundit.

Z.Seehofer u shpreh se “do të bëjmë të gjitha përpjekjet që bashkëpunimi mes dy vendeve tona të konkretizohet më tej” dhe shtoi se shumë shpejt do të jetë në Tiranë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb