Qeveria ka krijuar një strukturë të posaçme për kontrollin e serviseve dhe njësive të shitblerjes së automjeteve. Përmes së vendimi të posaçëm, i cili ka hyrë në fuqi dy ditë më parë dhe do të shtrijë efektet deri në fund të vitit 2019, taks-forca e krijuar rishtas do të kalojë në “sitë” njësitë e autoriparimit, shitblerjes, depozitimit të mjeteve rrugore me motor, të rimorkiove dhe të pjesëve të tyre të dala jashtë përdorimit dhe të braktisura, si dhe veprimtaritë që lidhen me to. Struktura që do të jetë në varësi të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë do të ketë 40 punonjës.

“U vendos krijimi i Task-Forcës, si një strukturë e posaçme e përkohshme, për përmirësimin e nivelit të kontrollit rrugor të mjeteve motorike e rimorkiove, që shërbejnë për përdorimin ekonomik të tyre, për transport pasagjerësh e mallrash, si dhe kontrollin e njësive të autoriparimit, shitblerjes, depozitimit të mjeteve rrugore me motor, të rimorkiove dhe pjesëve të tyre të dala jashtë përdorimit, ose të braktisura dhe veprimtaritë që lidhen me to. Kjo Task-Forcë është në varësi të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ka në përbërje 40 punonjës të specializuar, të cilët kontraktohen sipas dispozitave të Kodit të Punës. Drejtuesi i kësaj strukture duhet të ketë eksperiencë të mëparshme në fushën e menaxhimit dhe të realizimit të shërbimeve në transportin rrugor. Sipas vendimit, struktura organizative, përshkrimi i detajuar i detyrave dhe emërimi i punonjësve miratohen me urdhër të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë”, – thuhet në pikën 1 të vendimit, i cili është botuar në Fletoren Zyrtare dhe hyn në fuqi menjëherë.

Kontrollet Task-Forca do të kryejë kontrollin në terren, në përputhje me kushtet e përcaktuara në këtë vendim dhe akteve ligjore në fuqi, për zbatimin e ligjshmërisë së aktivitetit të: njësive të autoriparimit, shitblerjes, depozitimit të mjeteve rrugore me motor, të rimorkiove dhe të pjesëve të tyre, të dala jashtë përdorimit dhe të braktisura, si dhe veprimtaritë që lidhen me to. Në fokus do të jetë kontrolli i ofiçinave e certifikimit të aparateve të regjistruesit të shpejtësisë dhe të kohës (tahografëve) dhe terminaleve të linjave të rregullta të transportit të udhëtarëve, si dhe në vendqëndrimet e taksive.

Task-forca do të kryejë kontrollin e vendeve të shoqërive të transportit rrugor të pasagjerëve dhe të mallrave dhe vendeve të depozitimit të ngarkesave, ngarkimit dhe shkarkimit të mallrave si dhe veprimtarive të tjera të fushës së transportit rrugor, në përgjegjësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Sipas vendimit të Këshilli të Ministrave, që do shtrijë efektet deri në fund të vitit të ardhshëm, Task-Forca për realizimin e objektit të saj ka të drejtë të kryejë kontrollin e mjeteve në vende të veçanta, të përcaktuara me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për transportin dhe ministrin e Brendshëm.

Shkrimin e plotë e gjeni sot në Gsh.al në linkun http://www.gsh.al/2018/08/04/zbardhet-vkm-ja-krijohet-taks-force-per-kontrollin-e-serviseve/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: