TIRANE- Zëdhënësja e PD-së Ina Zhupa publikoi sot dokumentin e një tenderi korruptiv siç tha, përgjegjës për të cilin bëri kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Referuar dokumentit, Zhupa u shpreh se Bashkia e Tiranës ka shpallur fituese të një tenderi 100 milionësh për uniformat e policëve bashkiakë një kompani nën sekuestro për mospagim taksash dhe me vetëm 1 punëtor.

Është fakt se Erion Veliaj i ka dhënë 100 milionë lekë një kompanie që nuk paguan tatimet dhe për ketë arsye është nën sekuestro. Dokumenti nga Zyra e Tatimeve e provon këtë. Aty thuhet se kompania fituese “Vojsava Zenelaj” është me statusin “nën mbledhje me forcë”, çka tregon se kompania nuk ka paguar tatimet dhe duhet të ishte skualifikuar menjëherë! Duke i dhënë 100 milionë lekë një kompanie që është nën sekuestro për mospagim tatimesh, Bashkia e Erion Veliajt ka shkelur disa ligje dhe vendime qeverie.
Siç tregohet në dokument, kjo kompani duhet të ishte skualifikuar, sepse janë dy ligje dhe dy vendime që ndalojnë shpalljen fitues të kompanive që nuk paguajnë taksa
“,- shprehet Zhupa.

Sipas saj, tenderi është fiktiv dhe këtë e mbështet si vijon: “Në të ashtuquajturën garë kanë marrë pjesë vetëm 2 kompani: kjo që ka fituar, “Vojsava Zenelaj” dhe një kompani tjetër “Muça shpk”, që vetëm sa ka futur letrat për fasadë, por nuk ka bërë asnjë ofertë.

Është fakt se kompania “Vojsava Zenelaj”, ka të deklaruar vetëm 1 të punësuar, ndërkohë që i duhet të qepë për 1 muaj mbi 4 mijë artikuj.

Thënë ndryshe, i vetmi person që ka kompania duhet të qepë në ditë 116 kostume, pantallona, pulovra, këmisha dhe këpucë! Pra, të mos flejë për 35 ditë rresht dhe për çdo orë të qepë të paktën 4 kostume dhe 1 palë këpucë!

Vjedhje më të hapur se kjo e 100 milionë lekëve vetëm në Bashkinë e Erion Veliajt mund të gjendet!

Sepse në Bashkinë e Tiranës tenderat janë te paracktuar, pa garë. Janë tendera korruptivë sipas interesit të xhepit të Erion Veliaj.

Nëse në vend do të funksiononte një Prokurori e pavarur dhe jo nën kontrollin politik të qeverisë, Erion Veliaj, i cili ka dhënë urdhrin korruptiv, dhe ata që e kanë zbatuar, sot duhet të ishin në burg për tenderin hajdut të 100 milionë lekëve”,- përfundon deklarata.

REAGON BASHKIA: KUR U BE TENDERI, KOMPANIA PA DETYRIME TEK TATIMET
Pas këtyre akuzave ka reaguar Bashkia e Tiranës. Përmes një deklarate Bashkia mohoi kategorikisht akuzat e PD-së ndërsa shtoi se kompania në fjalë ishte pa detyrime tek Tatimet.

“Bashkia e Tiranës sqaron se kur është bërë tenderi të cilit i referohet Partia Demokratike në deklaratën e saj, kompania në fjalë ka rezultuar pa detyrime në tatime. Këtë e vërteton edhe vërtetimi që kjo kompani ka dorëzuar sëbashku me dokumentet e tenderit”, thuhet në reagimin e Bashkisë.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: