Nga Valentina Madani
TIRANË- Jamarbër Malltezi, kreu i Departamentit për Turizmin në PD, tregon rrugët që e çojnë opozitën drejt pushtetit, por prej saj kërkon që të jetë e besueshme para shqiptarëve. Malltezi thotë për “Gazeta Shqiptare” se PD-ja para se të kërkojë zgjedhje të parakohshme, duhet të bëhet alternativë më e besueshme dhe të përballet me forcë dhe dinjitet përballë një qeverie të lidhur me krimin.
Sipas tij, PD-ja më mirë në opozitë sesa e përlyer me korrupsionin. Zyrtari i lartë demokrat nuk përjashton mundësinë e një koalicioni PD-LSI për zgje-dhjet e ardhshme lokale. Jamarbër Malltezi i kujton PD-së se duhet të bashkojë të gjithë opozitën kundër qeverisë “Rama”, të cilën e quan një shkretëtirë.

Z.Malltezi si e konsideroni aksionin e ndërmarrë nga opozita kundër krimit dhe lidhjeve me politikën? Kjo betejë e bëri më të fortë opozitën apo dështoi përballë mosdorëheqjes së Fatmir Xhafajt si ministër i Brendshëm?
Kjo është një betejë e duhur, që i bën nder opozitës dhe i bën nder vendit. Mund të fitosh ose humbësh beteja në politike, por e rëndësishme është të jesh në anën e së vërtetës, që kur të shohësh veten më pas, të ndihesh mirë se ka mbrojtur një standard dhe ke ruajtur një raport të ndershëm me të vërtetën. Sa më gjatë e shtyn agoninë z.Rama, aq më rëndë do të jetë për të pasi opozita po i bën nder vendit. Çfarë nuk pranohet për policinë e thjeshtë, nuk mund të pranohet për ministrin, përndryshe do ishim në një dyfytyrësi, një standard të dyfishtë.

Në gjykimin tuaj opozita duhet të kërkojë zgjedhje të parakohshme, apo të përgatitet për të fituar zgjedhjet e ardhshme lokale?
Opozita duhet të punojë për të fituar zemrat dhe mendjet e njerëzve. Duhet të punojë me njerëzit dhe për njerëzit. Duhet të demonstrojë që është në sinkron me nevojat dhe dëshirat e shqiptarëve, duhet të theksojë çështjet me rëndësi për vendin dhe të rrisë besueshmërinë që këtë zezona nuk do përsëriten më dhe që keqbërësit do i dërgojë të përballen me një drejtësi të pakapur nga asnjë palë. Duke kryer këto detyra, opozita ngrihet në nivelin e kërkesave të kohës, bëhet alternativë më e besueshme dhe të përballet me forcë dhe dinjitet me të keqen në cilindo skenar.

…Dhe si mund të bëhet e besueshme?
Duke punuar me njerëzit dhe për njerëzit, duke shënuar hallet e tyre dhe duke iu rikujtuar gënjeshtrat dhe mashtrimet e përditshme të qeverisë, duke bashkuar çdo kontribut opozitar, duke u mbajtur fort me të vërtetat e dhimbshme dhe duke ofruar më shumë shpresë se aeroporti. Këtu qeveria ka vrarë shpresën dhe 500,000 shqiptarë (1/6 e popullsisë) ia kanë mbathur duke kërkuar azil a thua se Shqipëria është në lufte civile, apo është ndonjë shkretëtirë, ku toka nuk prodhon asgjë. Duhet të bashkohemi dhe të shohim përtej inateve të momentit për hir të së ardhmes së vendit.

Intervistën e plotë e gjeni sot në në Gsh.al në linkun http://www.gsh.al/2018/06/15/zgjedhje-te-parakohshme-malltezi-pd-te-jete-e-besueshme/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb