Me afrimin e zgjedhjeve vendore, vitin e ardhshëm, Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj do t’i propozojë qeverisë një ndryshim në ligjin për rezidencën e banorëve në kryeqytet, me qëllim përgatitjen e saktë të listave zgjedhore. Nga Selita ku ishte për inspektimin e punimeve për rehabilitimin e infrastrukturës, Veliaj tha se me këtë propozim do të krijohet mundësia edhe për një amnisti deri më 31 dhjetor për gjobat e atyre që nuk janë regjistruar sipas ligjit.

“Ne do t’i kërkojmë nga muaji shtator qeverisë shqiptare që të bëjmë një amendim në ligjin për rezidencën dhe regjistrimin e banorëve, për të pasur një amnisti të përkohshme nga gjobat nga tani e deri në 31 dhjetor, kur duhet të përgatiten edhe listat zgjedhore, për të vetmen arsye që qytetarët të votojnë dhe të kenë mundësi të regjistrohen me rezidencën aty ku kanë edhe adresën e tyre të banimit’ – tha Veliaj.

I shoqëruar edhe nga socialisti Pandeli Majko, kreu i bashkisë Tiranë u ka kërkuar banorëve të regjistrojnë adresën e saktë te vendbanimit edhe për përfitimin e sa më shumë fondeve dhe investimeve.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb