GREQI- Fshati Mati në rajonin e Atikës në Greqi është shkrumbuar pothuajse plotësisht nga zjarri që u ka marrë jetën deri më tani 83 personave, ndërsa shumë të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Emigranti shqiptar në Greqi Ermal Sulaj ka shkuar në fshatin Mati si pjesë e komunitetit shqiptar për të ndihmuar bashkatdhetarët tanë që ndodhen atje.  Në një lidhje telefonike për News24 dhe BalkanWeb, Ermal Sulaj thotë se janë 15 familje shqiptarë të strehuara në kampe në Mati.

Zjarri u ka djegur gjithçka shqiptarëve duke përfshirë edhe dokumentet. Ata shprehin pasiguri, pasi nuk e dinë nëse do arrijnë t’i bëjnë sërish dokumentet për të ardhur në Shqipëri që të takojnë të afërmit.

“Unë kam takuar shumë shqiptarë këtu të cilët më kanë treguar si u përballën me flakët. Një shqiptar ka qenë i pari që dha ndihmë për njerëzit me mjetet e rojeve bregdetare. Njerëzit kishin dalë në breg dhe nuk futeshin në ujë se nuk merrnin dot frymë edhe për shkak të tymit. Këtu në Mati janë rreth 15 familje shqiptare të strehuara në kampe. Shumë njerëz kanë ardhur nga Athina dhe zona të tjera vullnetarisht dhe kanë ofruar ndihmë me ushqime dhe mjete të tjera për të prekurit nga zjarri. Shqiptarëve u janë djegur edhe dokumentet dhe nuk e dinë nëse do arrijnë t’i bëjnë nga e para që të shkojnë në Shqipëri për të takuar të afërmit e tyre që janë në merak për shkak të kësaj ngjarje”- tha Ermal Sulaj.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb