Zjarre masive përfshinë javën e kaluar periferinë e Athinës, duke lënë pas mbi 88 viktima e qindra të lënduar. Pamjet e tmerrit treguan flakët e zjarrit teksa përfshinin gjithçka me shpejtësi, duke lënë pas shkreti dhe hi.

Për disa ditë me radhë Greqia ka qenë nën “terror”, pasi numri i personave të rezultuar të zhdukur ishte i madh. Qeveria greke shpalli tre ditë zie kombëtare, ndërkohë që dhimbja mbetet shumë e madhe për jetët e humbura.

Të mbijetuarit nga zjarri hodhën akuza mbi institucionet përkatëse, se nuk ndërhynë në mënyrën e duhur dhe në kohë, për t’iu ardhur në ndihmë banorëve të zonës së Atikës. Lidhur me ngjarjen tragjike, qeveria Cipras mori përsipër të gjithë përgjegjësitë.

Duke komentuar pamjet e tmerrshme që përpinë këtë zonë, drejtori i Shërbimit Zjarrfikës për Tiranën, Shkëlqim Goxhaj, në nivel eksperti, është shprehur se situata mund të ishte menaxhuar më mirë.

Në emisionin “Kjo javë” më Nisida Tufën në “News24”, tha se, duke qenë se Greqia është një vend me rrezikshmëri të madhe zjarri në stinën e verës, qytetarët duhet të jenë shumë më të parapërgatitur, dhe të dinë se si duhet të veprojnë në raste të tilla. Ai tha se duhet shmangur largimi me makinë nga zonat ku ka rënë zjarr, pasi mund të bllokohet rruga, dhe rreziku në këtë rast është edhe më i madh.

“Zjarri i kapi qytetarët në befasi. Flakët përparuan me një shpejtësi të jashtëzakonshme, për natyrën e zjarreve në pyje, shkurre dhe kullota, është ndikuar edhe nga rrymat e ajrit. Kështu e ka bërë të pamundur evakuimin e popullatës, e ka bërë të pamundur manovrimin e qytetarëve për të shpëtuar jetën. Por mendoj se një parapërgatitje më e mirë nga ana e strukturave shtetërore mund të parandalonte shumë humbje në njerëz. Është e pafalshme që shumë automjete janë gjendur të bllokuara në rrugë, me qytetarë brenda në mjet.

Në raste të tilla, nëse rrugët nuk janë me gjerësi të mjaftueshme, asnjëherë nuk duhet të lëvizet me automjetet për të dalë nga vatrat e zjarrit, por gjithmonë qytetarët duhet të evakuohen nga banesat, larg vatrave të zjarrit, dhe të pozicionohen në zona që nuk rrezikohen nga zjarri. Sepse nuk mund të themi se 100 % e territorit aty rrezikonte jetën e qytetarëve. Pavarësisht se aty është një zonë me pyje dhe me shkurre, dhe zjarri ka qenë shumë i përhapur. Por mendoj se me pak orientim qytetarët mund të devijonin dhe numri i viktimave mund të ishte më i ulët”, tha ai.

Kur zjarri është i përmasave të tilla, Goxhaj thotë se “nuk mund t’u jepet qytetarëve më shumë se 4 minuta kohë, pasi do mungojë oksigjeni. Kjo për faktin se djegia e oksigjenit nga zjarri, shkakton asfiksi. Por kjo nuk do të thotë se aty nuk shpëtuan qytetarë. Rrezikshmëria nuk është e njëjtë në çdo ambient. Rrezikshmëria është maksimale në vendet afër vatrës së zjarrit, apo në ambientet ë mbyllura, siç ishte rasti i restorantit ku u gjetën 26 viktima.

Ndaj them se nuk lëvizet me makina në këtë raste, pasi nuk dihet sa mund të zgjasë bllokimi i rrugës, dhe zjarri nuk të lë shumë kohë. Ndaj mendoj se një parapërgatitje më e mirë do të kishte bërë të mundur një menaxhim më efikas në zona të tilla. Pasi Greqia dihet se është një vend me rrezikshmëri të madhe zjarri në stinën e verës. Çdo vit kemi parë zjarre të përmasave shumë herë më të mëdha se në vendin tonë. Ndaj qytetarët duhet të jenë shumë më të parapërgatitur, dhe të dinë se si duhet të veprojnë në raste të tilla”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb