Para se satelitët dhe avionët pa pilot të teknologjisë së lartë të fillonin të grumbullonin të dhëna zbulimi për ushtrinë, Shtetet e Bashkuara mbështeteshin në avionët supersonikë që mund të depërtonin me shpejtësi në hapësirën ajrore të vendeve kundërshtare, bënin fotografi dhe të dilnin para se të kapeshin.

Avioni i fundit i këtij lloji doli nga përdorimi në vitin 1998 dhe ka disa rekorde botërore. Por tani, avionët spiunë mund të gjenden vetëm në muze.

Dikur Lockheed SR-71, i njohur edhe si “Zogu i Zi”, ishte avioni ushtarak më i avancuar në botë. Ai zë vendin e nderit në Qendrën Udvar-Hazy të Institutit Smithsonian, pranë Uashingtonit.

Të tjerë të ngjashëm mund të gjenden në muzeume më të vogla në gjithë vendin, si Parku Ajror i Zogjve të Zinj në Palmdale të Kalifornisë.

Guida vullnetare Bill Flanagan, dikur fluturonte me avionin SR-71, si Oficer i Sistemeve Zbuluese.
“Mund ta shohësh dritaren e vogël që është mbuluar me pëlhurë. Ajo ishte zyra ime. Unë kontrolloja radarin, sistemin e navigimit, mjetet elektronike, si edhe isha piloti dytësor për pilotin kryesor”.

Zogu i Zi, SR-71 u krijua pasi një nga paraardhësit e tij, U-2 i Lockheed-it, u godit dhe u rrëzua mbi Bashkimin Sovjetik në vitin 1960, gjatë një misioni zbulimi të CIA-s.

Duke kuptuar të metat e avionit U-2, CIA kërkoi një avion më të shpejtë dhe që të fluturonte në lartësi më të madhe, por edhe i vështirë për t’u diktuar nga radari.

U deshën vetëm dy vjet, me mjete mekanike, analoge, llogaritëse, që inxhinierët të ndërtonin një A-12, një avion spiun me një sedilje.

“Por Forca Ajorore donte një avion zbulimi që të mund të kishte më shumë sensorë sesa A-12 dhe U-2 mbante vetëm një kamera dhe ndoshta një regjistrues”.

Kështu lindi SR-71. Me një shpejtësi mbi 3 mijë e 500 kilometra në orë dhe një maksimum shërbimi prej pothuajse 26 kilometrash të lartë, ishte pothuajse i paprekshëm nga zjarri nga toka. Një prej tyre fluturoi nga Los Anxhelesi në Uashington për 64 minuta, shkruan voa.

“Disa nga kolegët e mi që kishin qenë në rrjetin e mbrojtjes së Paktit të Varshavës më thanë se e kishin parë Zogun e Zi për një fragment shumë të shkurtër në radar dhe nuk mund ta besonin se sa shpejt kishte lëvizur në radar dhe ishte zhdukur”.

Pas shumë debatesh në Kongres dhe Pentagon lidhur me projekte të avancuara teknologjike, avionët SR-71, u nxorrën përfundimisht nga përdorimi në vitin 1998. Punën e tyre filluan ta bënin avonë pa pilotë dhe satelitë zbulimi. Por edhe sot e kësaj dite, Zogu i Zi mbetet avioni me pilot më i shpejtë dhe që fluturon më lart në botë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: