TIRANË

Kryeministri Edi Rama nga foltorja e Kuvendit iu është përgjigjur kritikave të adresuar ndaj qeverisë së tij në lidhje me angazhimin që ka pasur në përballimin e situatës emergjente nga tërmeti i 26 nëntorit. Ai tha se ka pasur në terren mbi 5 mijë persona, duke përfshirë policë, zjarrfikës dhe shumë trupa të tjerë që kanë punuar fort për të shpëtuar jetën e njerëzve.


“5 mijë policë, ushtarë, zjarrfikës, mjekë, infermierë, njerëz të shtetit ishin në terren edhe pastaj  dëgjoja ato klithmat: ua s’paska doreza, ua po s’paska çizme. Histori qensh!Faktet janë fakte. Ka pasur 900 e kusur të plagosur. Kush i nxori ata nga  gërmadhat.  Ishte errësuar kur erdhën nga jashtë ekipet e kërkim-shpëtimit, ishte 38 numri i të shpëtuarve, kush i nxori ata?”-tha Rama.


Shefi i qeverisë kishte një përgjigje edhe për zërat kritikë, të cilët thonë se me prishjen e banesave të shkatërruara nga tërmeti po prishen provat. Ai pohoi me garanci të plotë se gjithçka është hetuar, dhe tani pritet, që prokuroria të nisë veprimet konkrete.


“Është fotografuar gjithçka, kur ka ndodhur, është fotografuar gjatë procesit , madje edhe aty ku janë pastruar janë marrë kampionët e betonit dhe po bëhen dosjet gati. Duan arrestime, sepse nuk iu punon themeli. Në vend që në ditën e parë dhe në ditën e pestë, ti ktheni sallonet e tyre në energji pozitive për të qetësuar  njerëzit, ata bën të kundërtën. Donin arrestimet ditën e parë, donin faturat e dëmeve ditën e dytë, ndërsa vendet e tjera u duhet gjysmë viti për të nxjerrë faturat e dëmit. Donin dhe shtëpi ditën e parë, ndërkohë fqinjët tanë kanë njerëz akoma në kabina njerëzit e prekur nga tërmeti dhe po të shikoni reagimet, ka reagime nga komuniteti që akoma  presin kompensime dhe kompensime  që kanë ndodhur vite më përpara . Këta i duan arrestime akoma pa varrosur të vdekurit, ngaqë i kanë marrë qyl gjërat në jetë . E sigurt është që të gjitha ndërtimet, jo ato të shembura, por edhe ato që janë në riparim janë në proces hetimit. Ditë natë, jo vetëm tani. Policia e Shtetit ka angazhuar Njësinë Speciale për të mbledhur provat. Instituti i ndërtimi është në terren.”-tha ai.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb