Policia e Kosovës i ka bërë të gjitha përgatitjet për ruajtjen e sigurisë publike gjatë ditës së premte kur është thirrur seanca e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës, raporton KosovaPress.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Daut Hoxha tha për Kosovapress se Policia i ka marrë të gjitha masat e nevojshme për ta ruajtur sigurinë e qytetarëve të Kosovës gjatë ditës së nesërme kur pritet të zgjidhet edhe i pari i vendit.

HOXHA: POLICIA E GATSHME TA RUAJË SIGURINË
“Policia e Kosovë bazuar në detyrat dhe autorizimet e saj ligjore ka bërë përgatitjet e nevojshme për garantimin e sigurisë së përgjithshme si dhe mbajtjen e rendit dhe qetësisë publike qoftë për mbajtjen apo qoftë për zhvillimin e situatës së seancës që do të zhvillohet nesër për zgjedhjen e presidentit të shtetit, gjithashtu dhe për garantimin e sigurisë s përgjithshme gjatë protestës që parashihet të mbahet nesër nga partitë tjera”, tha Hoxha.

Hoxha u shpreh se detyrat dhe përgjegjësitë e Policisë së Kosovës janë të përcaktuara me Ligjin për Policinë dhe Kushtetutën e vendit, derisa theksoi se Policia e Kosovës çdo herë kur ka raste të tubimeve i bënë planet operacionale të nevojshme për të garantuar sigurinë e përgjithshme dhe për të ndërmarr masat e nevojshme për të garantuar një siguri të përgjithshme në vend.

Ndërsa, i pyetur nëse Policia ka kapacitete të nevojshme ta menaxhojë situatën vet apo do të kërkojë ndihmën e EULEX-it dhe KFOR-it, Hoxha tha se policia ka kapacitete të mjaftueshme për ta menaxhuar situatën, mirëpo shtoi se kjo e fundit ka plane fleksibile për të reaguar në çdo rast, shkruan Kosovapress.

HOXHA: JEMI TË GATSHËM TË REAGOJMË KONFORM SITUATËS
“Policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme për të menaxhuar me situata të ndryshme që ndodhen në vend dhe natyrisht planet tona janë fleksibile dhe jemi të gatshëm për të vepruar konform situatës së paraqitur”, tha Hoxha.

Gjatë ditës së premte (nesër) pritet të zhvillohet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Për ta kundërshtuar një gjë të tillë, aktivistë të partive opozitare kanë paralajmëruar protestë para ndërtesës së Kuvendit si dhe në sheshet e Prishtinës ku edhe janë duke qëndruar protestuesit që nga dita e martë. Nga ana tjetër po në sheshet e Prishtinës edhe simpatizantë të PDK-së kanë paralajmëruar se do të festojnë për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: