Në Dhomat e Specializuara në Hagë sot ka përfunduar dëgjimi i dëshmitarit të katërt në gjykimin ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Dëshmia e tij është dëgjuar në seancë të mbyllur për publikun. Ndërsa në fund të seancës, kryetarja e trupit gjykues Mappie Veldt-Foglia ka bërë të ditur se dëgjimi i dëshmitarit të pestë, që është gjithashtu i mbrojtur, do të dëgjohet më 2 nëntor.

Dëshmitari i katërt i Zyrës së Prokurorit të specializuar, i cili mban kodin W03594, i cili ka dëshmuar nën masa mbrojtëse të sigurisë duke iu fshehur identiteti, ka thënë se ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që prej marsit të vitit 1998.

Ai ka filluar të jep dëshminë e tij më 12 tetor dhe për tri ditë sa është dëgjuar seancat në të shumtën e rasteve kanë vijuar të mbyllura për publikun.

Megjithatë, në seancën e parë të dëshmisë së tij, dëshmitari i katërt i mbrojtur ka thënë se është mbajtur në një objekt në fshatin Zllashë nga data 4 deri më 18 apo 19 prill, ku sipas tij, është dërguar nga dy persona me maska dhe të veshur me uniformën e UÇK-së. Sipas tij, aty është trajtuar në mënyrë çnjerëzore.

Në gjykimin ndaj Salih Mustafës deri tani janë dëgjuar katër dëshmitarë të ZPS-së, të gjithë të mbrojtur. Dëshmitari i pestë i mbrojtur, i cili mban kodin W04603, do fillojë me dëshminë e tij nga data 2 nëntor 2021.

Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja më 24 shtator 2020, pasi aktakuza ndaj tij u konfirmua më 12 qershor 2020, me pretendimin për krime lufte.

Në paraqitjen e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb