PRISHTINË- Në Pejë opozita po zhvillon një manifestim kundër marrëveshjeve me Serbinë të arritura në Bruksel në fund të gushtit, si dhe demarkacionit me Malin e Zi.

Në sheshin “Shkelzen Haradinaj”, në Pejë kryetarët e partive të opozitës, përjashtuar Fatmir Limën, u janë bashkuar manifestimit, ku qytetarë të shumtë po mbajnë në duar pankarta “Mos luani me pronat e 60 fshatrave”, “Kufiri është te kulla dhe ka qenë gjithmonë” “Qeveri, boll mo me këto tradhëtina”.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj para një numri të madh protestuesish tha se këto dy marrëveshje nuk do të mund të kalojnë asnjëherë dhe se qytetarët e Kosovës nuk do të lejojnë që Serbia të kthehet në Kosovë.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nisma-s për Kosovën, Jakup Krasniqi, e arsyetoi protestën me 101 arsye për ta kundërshtuar qeverisjen, që sipas tij solli vetëm varfëri.

“Sot kemi ardhur në qytetin e Dukagjinit për të kërkuar mbështetjen e tyre jo për fatin tonë, por për fatin e brezave të ardhshëm. Kemi ardhur që së bashku t’i themi jo “Zajednicës” dhe demarkacionit. Nëse Isa e Hashimi kanë prona për ti fal le ti falin, por jo pronat e Kosovës”, tha Krasniqi para qytetarëve të mbledhur. Krasniqi tha se Mustafës dhe Thaçit u ka mbetur vetëm rruga e dorëheqjes.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: