TIRANË- Vijon blerja e votës në Vorë, edhe 24 orë para ditës së votimit. Në fshatrat e Vorës nga ana e kryetarit aktual të bashkisë, po vijon shpërndarja e miellit me furgon. Në mesditë në fshatin Malsubash të Marikajt është kapur një furgon me miell i firmës Agro Blend që shpërndahej tek banorët e zonës në këmbim të votës.

Ndërkohë është bërë i mundur shoqërimi në polici i drejtuesit të mjetit shtetasit Beqir S., i cili po merret në pyetje.

Shoferit i është gjetur dhe një listë me 27 emra, disa prej të cilëve iu është dërguar mielli dhe disa të tjerëve ishte planifikuar për t’iu shpërndarë sot. News24 sjell pamjet e listës dhe furgonit me targë TR 4798 G me miell.

Problemi i shitblerjes së votave është kthyer në një shqetësim real për bashkinë e Vorës. News24 publikoi më herët video dhe materiale filmike që provonin se si banorët e Vorës thirreshin në zyrat e firmës Agro Blend dhe iu shpërndahej nga 100 mijë lekë të vjetra për person. Kjo është një tjetër video ku shtetasi me iniciale B.S. nxjerrë lekët që ka marrë tek firma Agro Blend. Ndërsa në këto foto duket i njëjti shtetas që pret jashtë ambienteve të firmës private të kryetarit të bashkisë Fiqiri Ismaili, në të njëjtë kohë që në fshatra apo zona të thella të zonës shpërndahej miell me furgon.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: